Populli i vuan urie, por Koreja Veriore ia jep 300.000 dollarë ndihmë Birmanisë

  • E.K /
  • 17 June 2021 - 09:56
 Populli i vuan urie, por Koreja Veriore ia jep 300.000 dollarë ndihmë Birmanisë

Koreja Veriore ia ka dhënë Birmanisë 300 mijë dollarë si ndihmë humanitare, duke e bërë donacionin e parë në shtete tjera që nga viti 2005.

Zyra e Kombeve të Bashkuara për Koordinim të Çështjeve Humanitare, më saktësisht shërbimi për përcjellje financiare tregoi se Koreja Veriore i dhuroi këto të holla më 24 maj për Fondin Humanitar të Birmanisë.

Përmes këtij fondi kërkohen rreth 276 milionë dollarë për t’i dalë në ndihmë Birmanisë, ku qindra njerëz kanë vdekur që nga koha kur ushtria e rrëzoi me puç qeverinë e zgjedhur në mënyrë demokratike në shkurt të këtij viti, shkruan Reuters.

Për herë të fundit, Koreja Veriore ofroi ndihmë financiare për Kombet e Bashkuara më 2005, kur i kishte dhënë 150 mijë dollarë për Indonezinë, Indinë, Tajlandën, Malajzinë, Maldivet dhe Sri-Lankën, shtet që ishin goditur nga një cunami shkatërrues në dhjetor të vitit 2004.

Kjo ndihmë nuk është e rastësishme. Vendi komunist ka marrëdhënie të vjetra me Birmaninë. Vëzhguesit e OKB-së kanë thënë se Koreja Veriore e furnizon edhe me armë këtë shtet të Azisë Juglindore dhe është duke investuar në bashkëpunim mes dy vendeve rreth raketave.

Edhe Koreja Jugore ka dhuruar 600 mijë dollarë për përpjekjet e Kombeve të Bashkuara që ta përkrahë Birmaninë, por e ka pezulluar eksportimin e armëve në këtë shtet.

(Kosova Sot Online)