Erdogan: I thashë Bidenit që Turqia s’heq dorë nga sistemi rus, S-400

  • E.K /
  • 17 June 2021 - 15:30
 Erdogan: I thashë Bidenit që Turqia s’heq dorë nga sistemi rus, S-400

Presidenti i Turqisë, Rexhep Erdogan, tha se i ka thënë homologut amerikan, Joe Biden, gjatë takimit të tyre të parë se Turqia nuk do ta ndryshojë qëndrimin e saj për sistemin rus të mbrojtjes ajrore, S-400, për t’u liruar nga sanksionet amerikane.

Bideni dhe Erdogani folën me tone pozitive pas takimit sy më sy të së hënës, ndonëse aleatët e NATO-s nuk njoftuan për ndonjë arritje të rëndësishme rreth mosmarrëveshjeve që kanë mes vete, përfshirë sistemin S-400, Sirinë dhe çështjet e tjera, shkruan Reuters .

Blerja e sistemit S-400 nga Ankaraja i ka tensionuar raportet me Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e NATO-s për shkak të shqetësimeve të tyre se ky sistem nuk përshtatet me mbrojtjen e NATO-s dhe mund t’i kërcënojë aeroplanët luftarakë amerikanë, F-35. Turqia, e cila është përjashtuar nga programi për aeroplanët luftarakë, i ka mohuar këto shqetësime.

“I thashë (Bidenit) se ata nuk duhet të presin që Turqia të bëjë një hap tjetër për çështjet e aeroplanëve F-35 dhe sistemi S-400, sepse ne e bëmë atë që është dashur ta bëjmë për aeroplanët F-35 dhe i kemi dhënë të hollat e nevojshme”, tha presidenti turk para gazetarëve gjatë kthimit nga Azerbajxhani me aeroplan.

Ankaraja dhe Uashingtoni janë munduar që t’i lënë anash dallimet dhe të përqendrohen në fushat e bashkëpunimit, si Afganistani dhe Siria, ndonëse Turqia është zemëruar nga përkrahja që ShBA-ja ua ka dhënë militantëve kurdë në Siri, të cilët i cilëson si grup terrorist.

(Kosova Sot Online)