Sllovenisë i kërkohet që vizat për Kosovën t’i bëjë prioritet gjatë Presidencës në BE

  • E.K /
  • 18 June 2021 - 15:17
 Sllovenisë i kërkohet që vizat për Kosovën t’i bëjë prioritet gjatë Presidencës në BE

Ambasadori i Republikës së Kosovës në Bruksel, Astrit Zemaj, ka takuar sot homologun e tij slloven, Iztok Jarc, me të cilin kanë biseduar për prioritetet e Presidencës Sllovene në Këshillin e Bashkimit Evropian.

Zemaj ka thënë se ka falendëruar ambasadorin slloven, Jarc, për mbështetjen e Sllovenisë, derisa thotë se i ka kërkuar që çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën ta vendosin në listën e prioriteteve kryesore.

“Takova ambasadorin slloven përpara fillimit të Presidencës Sllovene në Këshillin e BE’së. Patëm një takim të frytshëm rreth prioriteteve të Presidencës Sllovene me një fokus të veçantë në Kosovën dhe Ballkanin Perëndimor. E falënderova atë për mbështetjen e Sllovenisë dhe i kërkova që ta vendosë liberalizimin e vizave në listën e prioriteteve kryesore”, ka shkruar Zemaj në twitter.

Lidhur me liberalizimin e vizave ka folur sot edhe Miroslav Lajcak gjatë një takimi në Vjenë me Sebastian Kurz. Sllovaku ka thënë se Kosova po vazhdon të mbetet e izoluar dhe se punët rreth këtij procesi nuk po shkojnë si duhet.

Kosova zyrtarisht ka plotësuar të gjitha kushtet për liberalizim të vizave, derisa Franca dhe Holanda si dy shtete anëtare vazhdojnë të kundërshtojnë heqjen e regjimit të vizave.

(Kosova Sot Online)