​Javën e ardhshme dy seanca plenare

  • E.K /
  • 18 June 2021 - 15:20
 ​Javën e ardhshme dy seanca plenare

Deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mblidhen sërish javën e ardhshme. Njëra do të jetë  solemne më 22 qershor dhe tjetra e rregullt  më 24  qershor, ku të zgjedhurit e popullit, pritet të vendosin për shkarkimin e pesë (5) anëtarëve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës.

Kjo sipas partive opozitare është duke u bërë me qëllim të kapjes së institucioneve së pavarura.

Pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi tha se kjo qasje e pushtetit është e gabuar.

Lidhur me këtë, i shqetësuar u shpreh edhe shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, i cili tha se tendenca e pushtetit është për shkarkimin dhe kapjen e institucioneve të pavarura.,

“Çfarëdo shkarkimi i bordeve të jetë në bazë të një vlerësimi të performancës dhe jo mbi ndikime politike”, tha ai.

Megjithatë, opozitarët shfaqën dallime në mënyrën e inicimit të shkarkimit të ish kryetares së KQZ-së, Valdete Daka.

Derisa në AAK thanë se mbështesin inicimin në Gjykatë Kushtetuese shkarkimin e Dakës, në LDK u shprehën se do të presin veprimet e ish kryesueses së KQZ-së për veprimet ligjore.

(Kosova Sot Online)