Kancelarja Merkel shprehet kritike për mbushjen e stadiumeve me tifozë për EURO 2020

  • S.A /
  • 19 June 2021 - 08:17
Kancelarja Merkel shprehet kritike për mbushjen e stadiumeve me tifozë për EURO 2020

Kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel, ka kërkuar kujdes në lejimin e tifozëve që po mbushin stadiumet e Euro 2020, ndërsa pandemia ende paraqet rreziqe të mëdha.

Merkel tha se nuk duhet të veprohet sikur koronavirusi ka mbaruar.

“Ju mund të shihni bazuar në shembullin e Lisbonës sa shpejt gjërat mund të ndryshojnë”, u shpreh ajo, duke iu referuar një ringjallje të fundit të rasteve COVID-19 në kryeqytetin portugez, transmeton KlanKosova.

Merkel tha që kjo zbatohej veçanërisht për ngjarjet e mëdha.

“Në Mynih për shembull keni pasur 14 mijë tifozë (për ndeshjen Gjermani-Francë të martën), nën rregulla të rrepta. Por kur shoh stadiume të mbushura plotë në vendet e tjera evropiane, unë jam pak skeptike nëse kjo është gjëja e duhur në situatën aktuale” ka thënë ajo.

Kancelarja vuri në dukje se njerëzit e vaksinuar plotësisht ishin ende në pakicë në shumicën e vendeve evropiane dhe se kjo është arsyeja pse kujdesi është ende i nevojshëm.

(Kosova Sot Online )