I ngarkuari me punë në Uashington me një mesazh: Miqësia dhe partneriteti me SHBA-në janë të palëkundura

  • E.K /
  • 21 June 2021 - 09:45
 I ngarkuari me punë në Uashington me një mesazh: Miqësia dhe partneriteti me SHBA-në janë të palëkundura

I ngarkuari me Punë në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Uashington, Valdet Sadiku, ka njoftuar për disa takime që ka pasur ditëve të fundit, duke shkruar se janë duke u përgatitur për angazhimet e ardhshme, pa dhënë detaje se për çka bëhet fjalë.

Sadiku përmes një shkrimi në profilin e tij në Facebook, ka thënë se miqësia e Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës është e palëkundur.

“Përfundimi i një jave produktive dhe përgatitje për angazhimet tona të ardhshme, me një besim të palëkundur në miqësinë dhe partneritetin tonë. Dje, sot, nesër, dhe gjithmonë!”, ka thënë ai.

Një reagim i tillë i Sadikut, vjen në kohën kur po diskutohen raportet e Qeverisë Kurti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Vetëm pak ditë më parë, zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, tha se Marrëveshja e shtatorit  të vitit të kaluar në Shtëpinë e Bardhë në Uashington nuk ka vlerë juridike.

Kryeziu në një intervistë kishte thënë se kjo marrëveshje nuk ka vlerë juridike pasi nuk është dërguar asnjëherë në Kuvend.

Pos Kryeziut, reagime nga kampi i kryeministrit Albin Kurti drejt SHBA-së ka dërguar edhe Admir Molla, një shqiptar i cili jeton në New York e me të cilin kryeministri Kurti bisedon për raportet e Qeverisë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ai i ka thënë Ambasadorit amerikan, Philip Kosnett, që të mos përzihet në punët e brendshme të Republikës së Kosovës.

Kjo pasi Kosnett deklaroi ditë më parë se Kosova ka detyrim të themelojë Asociacionin.

(Kosova Sot Online)