Gjakovari thotë se policët ia thyen këmbën gjatë arrestimit, hyn në operacion

  • E.K /
  • 21 June 2021 - 11:07
Gjakovari thotë se policët ia thyen këmbën gjatë arrestimit, hyn në operacion

V.Rr., 30-vjeç, po i nënshtrohet një operacioni në këmbën e majtë. Ai pretendon se zyrtarët policorë ia kanë shkaktuar lëndimin gjatë arrestimit, ditën e shtunë. Ngjarjen e ka rrëfyer një familjar i tij, teksa ka dërguar edhe pamje të arrestimit.

Sipas tij, arrestimi i V.Rr., ka ndodhur pas një meçi boksi në sallën e sportit “Shani Nushi” në Gjakovë dhe qytetari i ka kërkuar policëve ta dërgojnë në spital, por sipas tij, policët kanë refuzuar duke i thënë se po gënjen.

“Këtij personi policët i kishin hipur përmbi duke ja vendosur këmbën në qafë dhe këmbën në këmbën e tij. Ku gjatë kësaj policia ia kishte thyer këmbën. I lënduari gjatë ngritjes në këmbë nga policia shihet shume qarte në video se nuk mund të ngrihet në këmbë për shkak të fatalitetit që ia bëri policia. Ky person i ka thënë ‘Më dërgoni në spital se ma keni thyer këmbën’, dhe policia e Gjakovës kanë reaguar shumë ashpër duke e ngre zhag dhe duke i thënë: ‘Je ka gënjen asgjë nuk ki’. Personat që degjohen duke bërtitur janë familjarët e tij. Këta bërtisnin duke i treguar se është i bërë operacion në dy këmbët e tij duke i thënë: ‘O lëshojeni se ja keni thyer këmbën’, dhe ata aspak nuk reagojnë. Pastaj vijnë dhe shumë policë të tjerë ku reagojnë shumë ashpër…”, deklaroi ai.

Spitali Rajonal i Gjakovës ka konfirmuar mëngjesin e sotëm operimin e qytetarit, teksa kanë treguar edhe lëndimet që i ka në këmbë.

“Ju konfirmoj se pacienti V. Rr., dje është trajtuar në Emergjencë, ka refraktur të femurit, ana e majte. Në këto momente pacienti po përgatitët të operohet”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Ndërkohë, rastin policia e ka hapur si “sulm ndaj personit zyrtar”. Sipas raportit të djeshëm të policisë, tre të dyshuar i kanë sulmuar fizikisht referat dhe zyrtarët policor derisa ishin në kryerje të detyrës zyrtare, rreth vendimit të gjygjëtarëve gjatë një turniri të boksit.

Ne raport nuk theksohet nëse ka persona të lënduar, ndërsa të dyshuarit janë liruar me procedurë të rregullt.

Njoftimi i plotë i policisë:

SULM NDAJ PERSNIT ZYRTAR/ Rr. Luan Haradinaj, Gjakovë 19.06.2021-17:31. Janë arrestuar tre të dyshuarit meshkuj kosovarë pasi që të njëjtit duke shprehur pakënaqësitë e tyre rreth vendimit të gjygjëtarëve gjatë një turniri të boksit, i kanë sulmuar fizikisht referat dhe zyrtarët policorë derisa ishin në kryerje të detyrës zyrtare. Me vendim të prokurorit të dyshuarit pas intervistimit janë liruar në procedurë të rregullt.

Familjarët e personit që pretendojnë se policët ia kanë thyer këmbën, deklarojnë se ndaj zyrtarëve policorë kanë paraqitur ankesë në Inspektoratin Policor të Kosovës.

(Kosova Sot Online)