Spanja i jep shembull Serbisë, ua fal dënimin 9 liderëve për pavarësinë e Katalonjës

  • E.K /
  • 22 June 2021 - 09:41
 Spanja i jep shembull Serbisë, ua fal dënimin 9 liderëve për pavarësinë e Katalonjës

Qeveria spanjolle, e udhëhequr nga socialistët, të martën do ta miratojë faljen e nëntë liderëve katalonas për pavarësi, të cilët janë burgosur për rolin e tyre në përpjekjen e dështuar që ta ndajnë rajonin nga pjesa tjetër e shtetit në tetor të vitit 2017.

Kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez, ka pranuar se vendimi do të zemërojë shumë spanjollë, por ka këmbëngulur se akti i faljes është rruga më e mirë për ta bashkuar vendin dhe për të gjetur një zgjidhje politike që t’i jepet fund krizës së vazhdueshme, shkruan The Guardian.

Shefi i qeverisë spanjolle njoftoi për vendimin e shumëpritur të hënën gjatë një fjalimi në Barcelonë, në të cilin e theksoi nevojën për bashkekzistencë, zemërgjerësi e një fillim të ri. Falja e nëntë figurave katalonase do të miratohet formalisht të martën gjatë një takimi të kabinetit qeveritar.

Këta nëntë persona ishin dënuar nga Gjykata Supreme në vitin 2019. Asnjëri prej tyre nuk ishte larguar nga Spanja. Në mesin e të dënuarve që do të përfitojnë nga falja e qeveris është edhe ish-kryetari i kuvendit rajonal.

“Unë e di se ka njerëz që janë kundër këtij hapi dhe i kuptoj e i respektoj arsyet e tyre, por ata që e përkrahin faljen gjithashtu i kanë arsyet e tyre. Kur vjen puna që të peshohen vendimet politike, e ardhmja duhet të ketë më shumë rëndësi se e kaluara”, deklaroi kryeministri spanjoll.

(Kosova Sot Online)