Motra e Kim Jong-unit tallet me ShBA-në: Si duket po ia bëjnë qejfin vetes

  • E.K /
  • 22 June 2021 - 10:19
 Motra e Kim Jong-unit tallet me ShBA-në: Si duket po ia bëjnë qejfin vetes

Kim Yo Jong, zyrtare e lartë e partisë në pushtet dhe motër e liderit të Koresë Veriore, Kim Jong-un, të martën u tall me shpresat e Shteteve të Bashkuara, pasi ShBA-ja dhe Koreja Jugore u pajtuan që ta shqyrtojnë shuarjen e një grupi punues për koordinimin e politikave ndaj vendit komunist.

Motra e liderit kontrovers lëshoi një deklaratë në mediet shtetërore të martën, duke thënë se po duket sikur Shtetet e Bashkuara po i interpretojnë sinjalet nga Koreja Veriore në një mënyrë që mund të çojë në zhgënjim, shkruan Reuters.

“Duket sikur ShBA-ja mund të interpretojë një situatë në atë mënyrë që të kërkojë rehati për veten. Pritjet, të cilat ata i ushqyen në mënyrë të gabuar, do t’i hidhnin ata në një zhgënjim më të madh”, thuhet në deklaratën e zyrtares së lartë të Koresë Veriore.

Ajo me këtë deklaratë reagoi ndaj këshilltarit amerikan për Siguri Kombëtare, Jake Sullivan, i cili të dielën tha se ka parë një sinjal interesant në fjalimin e Kim Jong-unit, që tha se nevojiten përgatitje për konfrontim e dialog me Shtetet e Bashkuara.

Deklarata e motrës së liderit koreanoverior erdhi gjatë vizitës në Seul të përfaqësuesit të posaçëm të Shteteve të Bashkuara për Korenë Veriore, Sung Kim, i cili të martën pritet të takohet me presidentin e Koresë Jugore, Moon Jae-in.

Të hënën, Sung Kim tha se është i gatshëm të takohet me zyrtarët e Koresë Veriore kudo, në çfarëdo kohe dhe pa kushte dhe se pret përgjigje pozitive së shpejti.

(Kosova Sot Online)