Sa do t’i kushtojë Qeverisë heqja e policës së sigurimit për bashkatdhetarët

  • E.K /
  • 22 June 2021 - 15:29
 Sa do t’i kushtojë Qeverisë heqja e policës së sigurimit për bashkatdhetarët

Ministri i Financave dhe Transfereve, Hekuran Murati ka thënë se presin që kostoja përfundimtare e heqjes së policës së sigurimit për bashkatdhetarët që vijnë në Kosovë, të jetë 5 deri në 6 milionë euro.

Në një konferencë për medie pas mbledhjes së qeverisë, Murati tha se çështjen e heqjes së policës së sigurimit për bashkatdhetarët e kanë diskutuar në detaje.

“Kostoja përfundimtare mund të shihet krejt në fund. Projeksioni është që të jetë 5-6 milion euro në fund”, ka thënë Murati.

Në ndërkohë gjatë mbledhjes së qeverisë, ministri i Financave, Hekuran Murati, u shpreh se qeveria do të marr përsipër pagesën e policës nga 1 korriku.

 “Shqyrtimi i Propozim-Vendimit për mbulimin e plotë të obligimeve të sigurimit kufitar nga qeveria e Kosovës për të gjithë bashkatdhetarët dhe të huajt që janë subjekt i policës kufitare që vijnë në Kosovë deri në fund të vitit 2021. Ky vendim na hap rrugën që Ministria e Financave dhe në bashkëpunim me Ministrinë e Brendshme që të lidhim një memorandum me BQK-në dhe Byronë Kosovare të Sigurimit e marrim përsipër si qeveri mbulimin e kostos së policës kufitare të cilës i nënshtrohen bashkatdhetarët. Mbulimi do të fillojë prej datës 1 korrik”, tha Murati.

Ai tha poashtu që duhet te gjendet një zgjidhje e përhershme për këtë problem.

“Kjo është një zgjidhje e përkohshme por ne do të angazhohemi që ky problem të zgjidhet njëherë e përgjithmonë dhe të mos kemi nevojë që të bëhet ky mbulim”, tha ai.

(Kosova Sot Online)