Çfarë duhet të dinë shtetasit zviceranë që ia mësyjnë Kosovës

  • E.K /
  • 23 June 2021 - 08:26
 Çfarë duhet të dinë shtetasit zviceranë që ia mësyjnë Kosovës

Për shtetasit e Zvicrës vlejnë ende kufizime të caktuara në rast udhëtimi drejt disa vendeve. Cilat janë kufizimet për hyrje dhe qëndrim në Kosovë?

Atmosfera e pushimeve verore tashmë ka filluar dhe, pas një mungese të zgjatur, të gjithë duan që më në fund të pushojnë “si njerëz”.

Por, me gjithë përmirësimin e qartë të situatës pandemike, koronavirusi vazhdon të jetë këndejpari, shkruan albinfo.ch. Prandaj, shtete të ndryshme vazhdojnë të praktikojnë masa të ndryshme për të mbrojtur veten dhe turistët nga infektimi (ende) i mundshëm.

Gazeta 20minuten ka bërë një shpjegim të hollësishëm të të gjitha masave që shtetasit e Zvicrës duhet t`i respektojnë në rastet kur udhëtojnë drejt disa vendeve që janë destinacione më të shpeshta të zviceranëve gjatë verës. Mes tyre janë edhe Kosova dhe Shqipëria.

Këto duhet t`i kenë parasysh shtetasit zviceranë që duan të udhëtojnë në Kosovë

Qytetarët zviceranë që duan të shkojnë me pushime në Kosovë duhet të tregojnë para autoriteteve kufitare një test negativ PCR që nuk është më i vjetër se 72 orë. Nëse nuk e keni një test të tillë në dorë, hyrja mund të ju refuzohet. Ndërkaq, ky rregull nuk zbatohet për personat plotësisht të vaksinuar, të cilët  kanë marrë dozën e dytë të vaksinimit të paktën 14 ditë më parë, shkruan 20minuten.ch.

Sa për sqarim: kosovarët me dy shtetësi, kosovare dhe zvicerane, lirohen nga ky detyrim, me kusht që të kenë pasaportën kosovare (edhe po qe e skaduar) apo edhe çfarëdo dokumenti tjetër që dëshmon shtetësinë e Kosovës, shkruan albinfo.ch.

Personave jo-kosovarë të cilët kanë qëndruar në Indi, Brazil ose Afrikë të Jugut para se të hyjnë në Kosovë nuk u lejohet hyrja në vend. Ndërsa shtetasit kosovarë që kanë qenë kohët e fundit në këto tri vende duhet të qëndrojnë në karantinë në shtëpi për 14 ditë menjëherë pas mbërritjes së tyre dhe të vetëtestohen për Covid-19 dy herë në javë.

Krahas kufizimeve të përmendura që vlejnë për hyrje, edhe brenda vetë vendit, Kosovës, ju bëhet e qartë se pandemia vazhdon të ekzistojë.

Kështu, pas daljes nga banesa, duhet të veni maskën. Por kjo nuk vlen për këmbësorët, vrapuesit dhe çiklistët për sa kohë që ata mbajnë distancën minimale prej 2 metrash nga njerëzit tjerë. Po ashtu nga ky detyrim përjashtohen edhe individët ose deri në katër persona nga një shtëpi (familje) në një automjet si dhe gjatë ngrënies dhe pirjes, në lokale.

Shpeshherë, në hyrje të ndërtesave publike bëhet matja e temperaturës së trupit.

Në mjetet e transportit publik mund të lejohen vetëm 50 për qind e numrit të pasagjerëve, në krahasim me kohët e mëparshme, transmeton albinfo.ch. Taksitë gjithashtu nuk lejohen të marrin më shumë se tre pasagjerë.

Takimet publike lejohen të zhvillohen vetëm me numër të kufizuar të pjesëmarrësve

Përgjithësisht, këshillohet kujdes, pavarësisht rënies së fundit të numrit të infeksioneve. Kështu, Zyra e Jashtme në Gjermani thekson në faqen e saj të internetit se në Kosovë ekzistojnë “kapacitete shumë të vogla për trajtim intensiv mjekësor”.

Nëse vëreni simptoma Covid-19 ose keni pasur kontakte me një person të infektuar, duhet të telefononi në linjën telefonike të Ministrisë së Shëndetësisë të Kosovës në +383 (0) 38 200 80 800.

(Kosova Sot Online)