Tronditet ky vend, qindra varre pa shenja gjenden në një ish-shkollë tjetër

  • E.K /
  • 24 June 2021 - 08:59
 Tronditet ky vend, qindra varre pa shenja gjenden në një ish-shkollë tjetër

Qindra varre pa shenja u gjetën në zonën e një objekti që dikur ishte shkollë për fëmijët e fiseve indogjene në Saskatchewan të Kanadasë.

Një organizatë e fiseve indogjene, e quajtur “Indigenous First Nations”, tha të mërkurën se numri i varreve pa shenja do të jetë më i dalluari deri më tani në Kanada, shkruan The Guardian.

Muajin e kaluar, mbetjet e 215 fëmijëve, disa të moshës 3-vjeçare, u gjetën të varrosura në oborrin e një ish-shkolle në rajonin British Columbia.

Image

Vendi ku u gjetën mbetjet e 215 fëmijëve muajin e kaluar (Foto: AFP)

Nga shekulli XIX deri në vitet e shtatëdhjeta të vitit të kaluar, mbi 150.000 fëmijëve të fiseve indogjene të Kanadasë iu kërkohej ndjekja e mësimit në shkollat e krishtera të financuara nga shteti si pjesë e programit për t’i asimiluar ata në aspektin kulturor dhe për t’i integruar në shoqërinë kanadeze.

Ata u detyruan që të konvertohen në të krishterë dhe nuk u është lejuar që t’i flasin gjuhët amtare. Shumë prej tyre janë rrahur dhe janë abuzuar verbalisht. Rreth 6.000 besohet se kanë vdekur gjatë qëndrimit në këto shkolla.

Qeveria kanadeze në vitin 2008 kërkoi falje në kuvend dhe pranoi se abuzimet seksuale e fizike në këto shkolla ishin shumë të përhapura. Shumë ish-nxënës kujtojnë se si janë rrahur vetëm pse e flisnin gjuhën amtare. Ata gjithashtu nuk kishin kontakt me prindër, as me traditat e tyre.

(Kosova Sot Online)