Angela Merkel e Emmanuel Macron “kopjojnë” Joe Bidenin, duan samit me Vladimir Putinin

  • E.K /
  • 24 June 2021 - 09:33
 Angela Merkel e Emmanuel Macron “kopjojnë” Joe Bidenin, duan samit me Vladimir Putinin

Franca dhe Gjermania kanë sugjeruar që ta ftojnë presidentin rus, Vladimir Putin, në një samit me Bashkimin Evropian si pjesë e përpjekjeve për rivendosjen e marrëdhënieve me Rusinë.

Propozimi nga presidenti francez, Emmanuel Macron, dhe kancelarja gjermane, Angela Merkel, vjen vetëm disa ditë pas samitit të kreut të Shtëpisë së Bardhë, Joe Biden, me homologun e tij rus, Vladimir Putin, në Gjenevë të Zvicrës.

Përkrahësit e idesë për samit mes BE-së e Rusisë thonë se udhëheqësit evropianë do të mund t’ia dërgonin Rusisë të njëjtat porosi të drejtpërdrejta rreth sjelljes së saj, ndërkohë duke e mbajtur hapur derën për kompromis e bashkëpunim, shkruan The Guardian.

Në anën tjetër, kritikuesit e marrëdhënieve më të ngushta me Kremlinin janë të shqetësuar që një samit i tillë do ta shpërblente Putinin në një kohë kur ai po e shton trysninë ndaj Ukrainës dhe në kohën kur Rusia është akuzuar për rritjen e sulmeve kibernetike kundër Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të tyre.

Bashkimi Evropian nuk ka mbajtur samit me Putinin që nga aneksimi i Krimesë më 2014 dhe ka propozuar disa shtresa sanksionesh kundër Rusisë.

Nuk është e qartë nëse në propozimin për samit me Rusinë do të përfshihen të gjithë udhëheqësit e 27 shteteve të BE-së apo vetëm liderët e BE-së, Ursula von der Leyen dhe Charles Michel.

(Kosova Sot Online)