Qindra njerëz presin në rresht për ta blerë numrin e fundit të gazetës që e mbylli qeveria

  • E.K /
  • 24 June 2021 - 10:59
 Qindra njerëz presin në rresht për ta blerë numrin e fundit të gazetës që e mbylli qeveria

Radhë të gjata qindra metra me njerëz u formuan në orët e hershme të mëngjesit të së enjtes, ende pa zbardhur dita, në mbarë Hong Kongun për ta blerë numrin e fundit të gazetës pro-demokratike, “Apple Daily”, e cila u detyra nga autoritetet që të mbyllet nën akuzën për shkelje të sigurisë kombëtare.

Ndonëse zakonisht shitej me nga 80 mijë kopje në ditë, drejtuesit e gazetës vendosën që numri i fundit të botohet në 1 milion kopje për shkak të kërkesës së madhe.

“Hongkongasit japin lamtumirë të dhimbshme në shi: Ne e përkrahim Apple Daily”, ishte titulli kryesor në ballinën e gazetës. Në pjesën tjetër të faqes ishte fotografia e përkrahësve që ishin grumbulluar para ndërtesës një natë para botimit të numrit të fundit.

Themeluesi dhe pronari i gazetës është në burg nga dhjetori, ndërsa kryeredaktori i saj nga java e kaluar. Ata akuzohen për bashkëpunim të dëmshëm me të huajt sipas ligjit për siguri kombëtare. Qeveritë e huaja dhe grupet për të drejtat e njeriut thonë se ky ligj po shfrytëzohet për t’i shtypur pakënaqësitë, shkruan The Guardian.

Pasi policia i bastisi zyrat e gazetës javën e kaluar dhe autoritetet ia bllokuan llogaritë e ia ngrinë asetet kompanisë që e kishte në pronësi të përditshmen, udhëheqësit e saj nuk patën rrugë tjetër, sepse nuk kishin mundësi ta paguanin stafin.

(Kosova Sot Online)