Prifti që dikur ishte në Kosovë u paraqit si trafikues organesh për t’ia shpëtuar jetën një fëmije

  • E.K /
  • 24 June 2021 - 12:03
 Prifti që dikur ishte në Kosovë u paraqit si trafikues organesh për t’ia shpëtuar jetën një fëmije

Ka shqetësime se në disa vende të botës, jeta e njeriut e ka çmimin e një bluze. Ignacio Maria Donoro de los Rios nuk mund të besonte që Manueli, adoleshent 14-vjeçar, i cili jetonte në Malet e Panchimalcos në El Salvador, mund të kushtonte 25 dollarë.

El Pais

Kleriku ushtarak, që kishte qenë atje para 25 viteve për një mision të posaçëm me Policinë Kombëtare, mendoi se shifrës së çmimit po i mungonin tri zero. Familja e djalit, i cili vuante nga paraliza e pjesshme, e kishte shitur atë për këto të holla te një trafikues i organeve në mënyrë që të mund t’i ushqenin katër vajzat. Njësoj si shumë banorë të tjerë të atij rajoni, kjo familje nuk i kishte burimet e mjaftueshme për ta siguruar ushqimin e përditshëm. “Diçka që e mëson me kohën është që s’mund t’i gjykosh ata: ai fëmijë do të vdiste dhe ata e shitën nga dëshpërimi”, shpjegon Donoro nga një ballkon në qendër të Madridit.

Pikërisht ky dëshpërim, që Donoro e ndjeu kur mori vesh për historinë e Manuelit, e bindi se ai duhet ta mbrojë jetën e atij adoleshenti, edhe nëse gjatë rrugës do të duhej ta jepte të veten. I veshur me rroba të papastra dhe me mjekër të parruar, ai mori me qira një kamion dhe të shkojë në atë vend për t’u paraqitur gjoja si trafikues organesh. Ai ia dha një dollar më shumë familjes, e mori djalin, e futi me ngut në kamion dhe e shpëtoi. “Në të dhjetat e sekondës kuptova se ky është treni që kalon një herë në jetë, ose hip në të, ose largohet. Nëse hip në të, të dërgon aty ku kurrë s’ke menduar se do të shkosh”, thotë Donoro. Kleriku, që rrëfehet se “tërë frika e botës” kishte kaluar, thotë: “Aty isha shumë i vetëdijshëm se fëmija do të ma ndryshonte jetën.”

Ai ka jetë kryesisht ushtarake, me ekspedita në Bosnjë e Kosovë, me misione të tjera humanitare në Marok, Kolumbi e Mozambik, ku gjithashtu ka punuar me fëmijët me probleme të përjashtimit dhe sëmundjeve, ndërsa më 2011 u ndal në Peru. Atje, dhjetë vite më parë, tashmë i pensionuar nga jeta ushtarake, e themeloi qendrën strehuese “Hogar Nazaret”, ku punëtorët mundohen t’iu ofrojnë jetë të denjë fëmijëve jetimë ose familjeve të dobëta që mbijetojnë në varfëri ekstreme dhe shumë të tjerëve, që kanë qenë viktima të trafikimit dhe prostitucionit. Kjo detyrë më 2021 e nominoi Donoron për Çmimin e Princeshës së Asturias për Harmoni, që jepet më 30 qershor. “Një nga parullat e kësaj shtëpie është që nëse shpëton një fëmijë, e shpëton njerëzimin”, shpjegon Donoro.

Duke u mbështetur në ilaçe dhe në rehabilitim, Manueli u shërua nga paraliza, që për të ishte si dënim me vdekje. Donoro pati kontakt me djaloshin vite më vonë, kur mori një letër prej tij në San Sebastian, ku ishte vendosur gjatë viteve më të vështira të grupit terrorist, ETA. Në këtë letër, Manueli e falënderoi Donoron për gjithçka që ai ka bërë dhe i tha se është personi më i rëndësishëm për të. “Sot, një fëmijë tjetër që dikur ishte në shtëpinë strehuese e që tashmë po e përfundon vitin e katërt në psikologji, më ka dërguar këtë porosi: “Ma ke ndryshuar jetën, për mua ka qenë një rilindje.” Kur punon me më të varfrit, nuk pret asgjë, por ata janë shpërblimi më i madh për mua”, thotë prifti duke buzëqeshur.

(Kosova Sot Online)