Udhëkryqi i PDK’së, mes Çitakut, Hoxhajt e Memli Krasniqit

  • E.K /
  • 24 June 2021 - 12:08
 Udhëkryqi i PDK’së, mes Çitakut, Hoxhajt e Memli Krasniqit

Kanë mbetur më pak se dy javë, kur Partia Demokratike e Kosovës do të bëhet me drejtues të ri. Deri tani, me gjithë kohën e shkurtër, asnjë kandidat i PDK-së s’ka shpallur kandidaturë zyrtare për ta zëvëndësuar Kadri Veselin. Opinonistët politikë vlerësojnë se kandidatët e mundshëm duhet të organizojnë garë fer dhe të hapur. Ata vlerësojnë se mbetet sfidë që kryetari i ri të mos identifikohet me keqqeverisjen e kësaj partie në të kaluarën.

Haradinaj i kërkon Kurtit fillimin e procedurave për finalizimin e Demarkacionit me Malin e Zi

Partia më e madhe opozitare që nga nëntori i kaluar është duke funksionuar me ushtrues detyre, pasi Kadri Veseli u detyrua ta lëshonte karrigen, që dikur e mbante Hashim Thaçi, pas aktakuzës së ngritur nga Haga.

Emrat më të përfolur që mund ta vazhdojnë drejtimin e PDK-së janë Enver Hoxhaj, që aktualisht është u.d. i kryetarit, deputeti Memli Krasniqi dhe ish-ambasadorja e Kosovës në ShBA, Vlora Çitaku.

Opinionisti politik, Imer Mushkolaj,  tha se sfida e parë për PDK-në është që të zgjedhë për kryetar dikë që nuk identifikohet me aferat korruptive, të cilat kanë ndodhur kur kjo parti ka qenë në pushtet.

“E kemi një situatë koxha emergjente në kuptimin që nuk ka kohë të mjaftueshme për kandidatët me i prezantu platformat. Nuk e di se kush ka qenë ideator që konventa e PDK-së të zhvillohet në këtë mënyrë. I kemi disa emra kandidatësh, ndoshta ndonjëri nga ta mundet me u zgjedh, por siç e shoh unë, ndoshta për një kohë më të gjatë në kuptimin se si ka me u sill PDK-ja, nuk e di se sa do të jetë e mundshme me u zgjedh dikush që nuk identifikohet me afera korruptive dhe keqqeverisje të PDK-së sa ka qenë në pushtet për vite të tëra, pra kjo është njëfarë sfide e madhe për PDK-në”, tha Mushkolaj.

Gazetari Astrit Gashi thotë se PDK-ja duhet të zgjedhë një kryetar që do jetë i përgatitur për sfidat që partia do të ketë në planin afatgjatë.

“Mendoj se procesi i zgjedhjes së kryetarit të PDK-së duhet me qenë i hapur, kur nuk dihet fituesi prej kur fillon procesi deri në ditën kur të jepen votat. Shpresoj që kongresi zgjedhor i PDK-së ka me shku me një konkurrecë dhe konkurrenca ka me zgjedh një kryetar të PDK-së, i cili ka me qenë i përgatitur për sfidat e së ardhmes dhe jo vetëm në plan afatshkurtër, por në plan afatmesëm dhe afatgjatë, pra PDK-ja tash duhet të zgjedhë një kryetar që mund ta shtyjë partinë përpara në të ardhmen”, tha Gashi.

Kurse Drejtori i Institutit për Politika Sociale “Musine Kokolari”, Visar Ymeri, mendon se PDK-ja për herë të parë po futet në proces të brendshëm pa themeluesit kryesorë të saj e që, sipas tij, është mundësi për demokraci të brendshme në këtë parti.

“Nuk e di se si zhvillohen këto procese në PDK meqë kryesisht mënyra e zhvillimit të procesit të zgjedhjeve të brendshme të partive politike mbahet larg syve të publikut. Natyrisht që është e rëndësishme që procesi zgjedhor dhe gara mes kandidatëve të bëhet e hapur dhe demokratike. Për më tepër mendoj që PDK është në një faze tejet të rëndësishme të zhvillimit si parti, kur për herë të parë futet në një proces të brendshëm zgjedhor pa i pasur brenda vetes themeluesit dhe figurat e padiskutueshme. Në këtë drejtim edhe pse ka argumente pse kjo mund të jetë dobësi për partinë, ka edhe më shumë argumente pse kjo është shansë për demokracinë e brendshme. Nuk ka demokraci në rrethana të figurave të padiskutueshme” , tha Ymeri për express të mërkurën.

Ish-ambasadorja e Kosovës në ShBA, Vlora Çitaku, e cila po përfolet si kandidate e mundshme, pak minuta pas caktimit të datës së konventës së PDK-së për kryetar kishte shkruar në Facebook “na priftë e mbara” duke lënë të kuptohet se mbase do të përfshihet në proces.

Imer Mushkolaj beson se Çitaku do të jetë njëra nga kandidatët për kryetar të PDK-së por që sipas tij do të ketë pakënaqësi brenda kësaj partie sa i përket lidershipit të ri.

“Të paktën paralajmërimin që Vlora Çitaku e ka bërë edhe pse në mënyrë të tërthortë besoj se do të jetë njëra nga kandidatët, tash është çështja e anëtarësisë se kënd do ta zgjedhin. Duhet me pasë parasysh se në PDK ka njerëz që kontribuojnë aty prej themelimit të PDK-së dhe ndoshta plot prej tyre nuk u është vlerësu puna e tyre, në anën tjetër ka njerëz në PDK të cilët janë aty disa parashutista të cilët kanë ardhë përshkak të dëshirës ose vullnetit të zotit Thaçi ndër vite, kështu që është koxha problem që të gjithë në PDK të jenë të kënaqur. Unë pres pakënaqësi, të cilat veç kanë fillur të dalin në sipërfaqe, anëtarësi dhe njerëzit që janë në PDK prej fillimit jo shumë lehtë kanë me e pranu një ndërrim të lidershipit nëse në krye të partisë vjen dikush që ata e konsiderojnë se nuk është i duhur ose nuk i përfaqëson më së miri  vlerat e partisë”, tha ai.

Ndërkaq analisti Astrit Gashi thotë se Vlora Çitaku duhet t’i hyjë garës dhe s’ka arsye pse të mendohet gjatë.

“Ka ndodhë ndërrimi i gjeneratës në mes të popullit, kështu që ndërrimi i gjeneratës është i domosdoshëm edhe për partitë. Secili që është i gjeneratës së vjetër duhet ta dijë që nuk nis gjithçka dhe mbaron me ta por secili jemi të kushtueshëm në hapësirë dhe kohë prandaj edhe ata duhet ta dijnë se kur atyre u është dhënë hapësira kur kanë qenë në moshë të re të jenë udhëheqës në politikë edhe ata duhet ta dijnë se edhe të rinjëve tjerë do t’ju vijë rendi, prandaj PDK-ja e ka të domosdoshme ndërrimin e gjeneratave ta përcjellin kohën. Vlora Çitaku duhet t’i hyjë garës, mendoj se është një opsion i mirë për kryetare të ardhshme të PDK-së, nuk them që është opsioni i vetëm por është një opsion i mirë dhe ajo nuk ka arsye pse të të mendohet gjatë për t’i hy garës. Tek e fundit në garë hyhet edhe nëse humbet”, tha Gashi.

Kurse ish-deputeti Visar Ymeri mendon se Vlora Çitaku do të jetë kandidate serioze nëse i hyn garës.

“Znj. Çitaku mund të jetë kandidate dhe mendoj që nëse garon do të jetë kandidate serioze. Me rëndësi është a e shohin si të tillë anëtarët e konventës. Nuk mendoj që angazhimi politik e vlerësimi për pranueshmërinë politike, apo dobishmërinë politike, duhet analizuar nga perspektiva e moshës e as e gjeneratave, por nga perspektiva e përgatitjes ideologjike, përkushtimit organizativ, guximit politik, kredibilitetit, aftësisë komunikative e energjisë reformatore”, tha Ymeri.

PDK ka njoftuar se kandidatët që synojnë të kandidojnë për kryetar duhet që të shpall kandidaturën e tyre më së largu me 1 korriku dhe duhet të ketë 50 nënshkrime të delegatëve nga 818 sa ka gjithsej konventa.

Konventa për zgjedhjen e kryetarit të ri të PDK-së do të mbahet më 3 korrik.

(Kosova Sot Online)