Temperatura rekorde në Siberi, zjarret në pyje shihen nga hapësira

  • E.K /
  • 24 June 2021 - 13:52
 Temperatura rekorde në Siberi, zjarret në pyje shihen nga hapësira

Kur përmendet Siberia, zakonisht në mendje na vijnë bora, akulli dhe acari, por ky rajon javën e kaluar u përball me një valë vape me temperatura rekorde, që arritën deri në 47 gradë.

Në Saskylah, fshat i vogël në veri të Qarkut Arktik, temperatura arriti në 31 gradë, që është më e larta nga viti i largët, 1936, shkruan Daily Mail.

Ndërkohë temperatura arriti në 47 gradë në qytezën Verkhoyansk. Kjo është temperatura më e lartë që u regjistrua mbi Arktik që nga koha kur ka filluar matja, ndërsa në Govorovo u regjistrua temperatura prej 43 gradësh.

Sipas pamjeve satelitore, të siguruara nga programi i BE-së për vëzhgimin e Tokës, Copernicus, temperaturat kanë shkuar mbi 35 gradë të dielën në Siberi.

Në një rajon ku temperatura zakonisht në qershor është 16 gradë, rritja e temperaturave po shkaktojnë shqetësime serioze te banorët dhe shkencëtarët, pasi po ka edhe zjarre në natyrë. Vetëm në rajonin verior, Yakutia, tash për tash janë 64 zjarre aktive në natyrë.

Guvernatori rajonal, Aisen Nikolaev, tha se vala e vapës, që e ka goditur Siberinë, ishte faktor kyç për shkaktimin e rritjes së madhe të numrit të zjarreve. Në pjesë të ndryshme të Siberisë, zjarret kanë nisur nga prilli dhe janë përhapur aq shumë, saqë tymi i tyre mund të shihej edhe nga pamjet e NASA-s.

(Kosova Sot Online)