Pal Lekaj thotë se ka frikë që Qeveria do ta shkarkojë edhe opozitën, i përgjigjet Glauk Konjufca

  • E.K /
  • 24 June 2021 - 14:36
Pal Lekaj thotë se ka frikë që Qeveria do ta shkarkojë edhe opozitën, i përgjigjet Glauk Konjufca

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, e ka kritikuar qasjen e Qeverisë për praktikën e shkarkimeve. Ai kërkuar me ironi që të merret një vendim për shkarkimin e të gjitha institucioneve të pavarura.

Lekaj tha se ka frikë që një ditë Qeveria do ta shkarkojë edhe opozitën.

“Mos e merrni këtë barrë me i etiketu njerëzit. Ata kanë familje. Është gjykata që mundet me e pru një vendim të tillë. Dhe nëse doni, krijoni një komision hetimor dhe ai i paraprin, por jo more kështu, kujt t’i teket në mëngjes me ardhë me thënë këtë duhet me shkarku”, tha Lekaj.

“Kërkoj, kryetar, që ta bijmë edhe një vendim ky Parlament që t’i shkarkojë të gjitha institucionet e pavarura të parlamentit dhe ato gjyqësore, sepse neve nuk na duhen më as gjykata, as prokuroria, as vlerësimi i askujt. Beso, një ditë vetëm kur të merrni ndonjë vendim që edhe opozitën ta shkarkoni”, theksoi ai.

Në kundërpërgjigje, kryeparlamentari Glauk Konjufca tha se një vendim të tillë mund ta marrë vetëm populli.

“Atë vendim Z. Lekaj mund ta marrë vetëm populli i Kosovës”, tha Konjufca.

(Kosova Sot Online)