Sami Kurteshi për rinumërimin e vendvotimeve: Mund të ketë gabime të natyrës penale, t’i dërgojmë në prokurori

  • E.K /
  • 25 June 2021 - 10:38
Sami Kurteshi për rinumërimin e vendvotimeve: Mund të ketë gabime të natyrës penale, t’i dërgojmë në prokurori

Anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje në KQZ, Sami Kurteshi ka shprehur shqetësimin se po ka numër të madh të vendvotimeve që po rinumërohen. Ai tha se duhet që të gjithë zyrtarët që bëjnë gabime gjatë numërimit të votave të japin përgjegjësi.

Kurteshi theksoi se procesi po zgjatet pikërisht për shkak të këtyre gabimeve.

“Ne prej përvojës së deritanishme kemi numër të madh të vendvotimeve që rinumërohen. Tash herën e fundit i kemi pasur diku rreth 500-600 dhe kjo është interesante sepse në një anë po zgjatet procesi dhe në anën tjetër duhet ta caktojmë përgjegjësinë e personave që janë në këshillin e votimit, pra nuk përputhen numrat, ose ka mangësi tjera dhe kalon pa kurrfarë përgjegjësie. Ata persona kanë marr përgjegjësi dhe paguhen me para publike”, tha ai, gjatë mbledhjes së sotme të KQZ-së.

Më tutje Kurteshi kërkoi nga KQZ-ja që këta persona të regjistrohen dhe të mos rekrutohen si punëtorë për zgjedhjet e ardhshme.

“KQZ duhet që në ketë rast me i regjistru të gjithë ata persona dhe përveç që mos me i rekrutu herën e ardhshme, për shkak se ato mund të jenë edhe natyrës penale dhe t’i dërgojmë në prokurori. Ne si KQZ duhet të mendojmë seriozisht për përgjegjësinë që kanë ata”, ka thënë Kurteshi.

(Kosova Sot Online)