Rusia ia ndalon garën në zgjedhje edhe një opozitari, përkrahës i Navalnyt

  • G.G /
  • 25 June 2021 - 13:30
Rusia ia ndalon garën në zgjedhje edhe një opozitari, përkrahës i Navalnyt

Politikani opozitar rus, Ilya Yashin, tha se i është ndaluar pjesëmarrja në zgjedhje për shkak të përkrahjes që ai ia ka ofruar opozitarit të burgosur, Aleksei Navalny, organizatat e të cilit janë shpallur ekstremiste.

“Unë i dorëzova dokumentet për zgjedhje në Dumën e Moskës. Komisioni i Zgjedhjeve më tha se jam i shpallur person i përfshirë në aktivitete ekstremiste dhe se nuk më lejohet pjesëmarrja në zgjedhje”, shkroi Yashin në Facebook të premten.

Opozitari tha se masa e autoriteteve ruse është hakmarrje për përkrahjen që ia ka dhënë Navalnyt, që është kritiku më i njohur i presidentit Vladimir Putin, shkruan Free Europe.

Ky politikan më parë ka qenë i arrestuar për aktivitetin e tij në protesta dhe njihet si kritik i palëkundur i Kremlinit. Yashin tha se do të paraqesë ankesë kundër këtij vendimi që e cilësoi si politik.

Më 19 shtator, në Rusi do të mbahen zgjedhjet për dhomën e ulët të kuvendit, Dumën Shtetërore, për 39 kuvende rajonale si dhe për nëntë guvernatorë rajonalë.

Me rritje të inflacionit e vështirësi ekonomike, partia e Putinit, “Rusia e Bashkuar” ka shënuar rezultate rekorde negative në sondazhe. Sipas Qendrës Levada, vetëm 27 për qind e rusëve e përkrahin këtë parti, ndonëse kjo shifër ishte 31 për qind në gusht të vitit të kaluar.

(Kosova Sot Online)