Deklarohet i pafajshëm i akuzuari për kërcënimin e një të mituri me sëpatë

  • G.G /
  • 25 June 2021 - 13:37
Deklarohet i pafajshëm i akuzuari për kërcënimin e një të mituri me sëpatë

I akuzuari për kanosjen e një të mituri, Kifo Kurtiç është deklaruar i pafajshëm në seancën fillestare të mbajtur të premten, në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurori Musa Mehaj, i akuzuari nuk e ka pranuar fajësinë për veprën penale që i vihet në barrë.

Në këto rrethana, gjykatësi Eroll Gashi e ka njoftuar të akuzuarin me të drejtën për të kërkuar hudhjen e aktakuzës e për të kundërshtuar provat, në afat prej 30 ditësh.

Ai gjithashtu bëri të ditur se seanca e shqyrtimit të dytë për këtë rast nuk do të mbahet dhe se për kërkesat eventuale për hudhje të aktakuzës e kundërshtim të provave, gjykata do të vendosë jashtë seance.

Po ashtu, gjykatësi Gashi ka njoftuar se të akuzuarit Kurtiç i ndërpritet masa e arrestit shtëpiak dhe i njëjti do të mbrohet në liri.

Sipas aktakuzës së përpiluar më 11 qershor 2021, nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Kifo Kurtiç po akuzohet se më 10 qershor 2021, në Fushë Kosovë, në gjendje të dehur, seriozisht me vepra dhe gjeste ka kanosur fëmijët e posaçërisht të miturin S.K.

Siç thuhet në aktin akuzues, Kurtiç vepron në atë mënyrë që me sëpatë në dorë e ka ndjekur nëpër oborr ta godas të miturin S.K., deri në momentin kur nëna e të miturit ka ndërhyrë ta largojë nga sulmi i mundshëm fizik, duke e futur atë brenda në shtëpi. Me këtë rast thuhet se ndaj të miturit dhe familjarëve shkaktohet ankth, shqetësim, frikë dhe pasiguri.

Me këtë, Kurtiç po akuzohet se ka kryer veprën penale “kanosja” nga neni 181, paragrafi 4 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, e cila dënohet me burgim prej një (1) deri në pesë (5) vjet.

(Kosova Sot Online)