Pamje nga shembja: Konfirmohen 4 të vdekur e 159 të zhdukur në Miami

  • E.K /
  • 25 June 2021 - 15:35
 Pamje nga shembja: Konfirmohen 4 të vdekur e 159 të zhdukur në Miami

Ekipet e shpëtimit po kërkojnë me dëshpërim për ndonjë të mbijetuar të ngujuar nën rrënojat e ndërtesës 12-katëshe që u shemb në Miami të Shteteve të Bashkuara.

Zyrtarët amerikanë thanë se së paku katër persona janë konfirmuar të vdekur, ndërsa 159 të tjerë janë ende të zhdukur, shkruan BBC.

Përderisa familjet po presin në ankth për ndonjë lajm, ekipet e kërkim-shpëtimit po e vazhdojnë punën pandërprerë dhe kanë raportuar se kanë dëgjuar njerëz duke goditur nën rrënoja.

Ende nuk është e qartë se çfarë saktësisht e shkaktoi shembjen e ndërtesës dhe sa persona ndodheshin brenda në momentin e fatkeqësisë.

Presidenti Joe Biden e ka miratuar shpalljen e gjendjes emergjente në Florida. Me këtë veprim, Agjencia Federale për Menaxhimin e Emergjencave do t’i ndihmojë agjencitë shtetërore të Floridës në përpjekjet për kërkim-shpëtim.

Gjatë natës, ekipet e shpëtimit përdorën kamera që e hetojnë praninë e zërit dhe qen të trajnuar përderisa kërkonin për të mbijetuar nën rrënoja. Disa ekipe madje hapën një tunel nga një parking nëntokësor i veturave në përpjekje për të arritur deri te njerëzit e ngujuar.

(Kosova Sot Online)