Presidenti i Lituanisë tallet me planin e Macronit e Merkelit për Putinin: Si t’i thuash ariut ta ruajë mjaltin

  • A.P /
  • 25 June 2021 - 15:55
Presidenti i Lituanisë tallet me planin e Macronit e Merkelit për Putinin: Si t’i thuash ariut ta ruajë mjaltin

Plani i Gjermanisë dhe Francës për zhvillimin e bisedimeve me Vladimir Putinin e Rusisë është kundërshtuar nga disa anëtare të BE-së. Në vend të këtij plani, në takim u mor vendim që të eksplorohen sanksione ekonomike kundër Rusisë.

Samiti dyditor në Bruksel përfshiu edhe diskutime rreth të drejtave të komunitetit LGBT në Hungari, pasi liderët e BE-së dolën kundër kryeministrit Viktor Orban rreth ligjit që do ta ndalojë në shkolla shfaqjen e përmbajtjeve që promovojnë homoseksualizëm dhe ndryshim të gjinisë.

Tensionet në samit filluan kur presidenti francez dhe kancelarja gjermane propozuan bisedime me Putinin, vetëm disa ditë pasi ky i fundit zhvilloi një samit në Zvicër me homologun amerikan, Joe Biden.

Propozimi i dy vendeve më të fuqishme të Bashkimit Evropian u kundërshtua ashpër nga Polonia dhe shtetet baltike, të cilat thanë se bisedimet me Putinin do të ishin koncesion që nuk do ta ndryshonte sjelljen e Kremlinit.

Presidenti i Lituanisë, Gitanas Nauseda, tha se plani për bisedime me Putinin është si të bëhen përpjekje për ta angazhuar ariun që ta ruajë kavanozin me mjaltë, shkruan The Guardian, transmeton Gazeta Express.

Në komunikatën zyrtare, BE-ja tha se u theksua nevoja për një përgjigje të fortë dhe të koordinuar nga Bashkimi Evropian dhe vendet anëtare ndaj cilitdo aktivitet ilegal dhe pengues të Rusisë, duke i përdorur plotësisht të gjitha instrumentet që blloku ka në dispozicion.

(Kosova Sot Online)