Pa asgjë në kokë e me kravatë, presidenti afgan krejt tjetër stil në Shtëpinë e Bardhë

  • E.K /
  • 26 June 2021 - 10:27
 Pa asgjë në kokë e me kravatë, presidenti afgan krejt tjetër stil në Shtëpinë e Bardhë

Shumica janë mësuar ta shohin me veshje tradicionale, por presidenti i Afganistanit, Ashraf Ghani, vendosi që të premten të bënte një ndryshim goxha të dukshëm, kur i shkoi mysafir në Shtëpinë e Bardhë homologut amerikan, Joe Biden.

Ndryshe nga rastet tjera, kur ai shihet me veshje tradicionale afgane, me mbulesë rreth kokës që gjithashtu ka një pjesë të zgjatur deri në bel e me këmishë pa kravatë, Ghani u pa para presidentit amerikan i veshur në mënyrë të ngjashme me të – kostum e kravatë.

Image

Presidenti afgan me veshje tradicionale (Foto: AP)

Shefi i Shtëpisë së Bardhë e shfrytëzoi këtë takim për t’u bërë thirrje afganëve që të vendosin për të ardhmen e vendit të tyre në kohën kur trupat amerikane po tërhiqen pas 20 viteve luftë, ndërsa qeveria afgane po mundohet ta parandalojë avancimin e talibanëve, shkruan Reuters.

“Afganët do të duhet të vendosin për të ardhmen e tyre, çfarë dëshirojnë ata”, tha Biden, duke shtuar se dhuna e pakuptimtë duhet të ndalet.

Në anën tjetër, Ghani tha se forcat e sigurisë kanë rimarrë nën kontroll gjashtë distrikte të premten. Ai gjithashtu tha se e respekton vendimin e Bidenit dhe se bashkëpunimi mes dy vendeve po hyn në një fazë të re.

Presidenti afgan shtoi se vendimi i Shteteve të Bashkuara për t’i tërhequr trupat është vendim sovran dhe se është detyrë e Kabulit që t’i menaxhojë pasojat.

(Kosova Sot Online)