Shtete të ndryshme ia mbyllin dyert të pavaksinuarve, vetëm rreth 2% e kosovarëve mund të udhëtojnë

  • A.P /
  • 28 June 2021 - 17:27
Shtete të ndryshme ia mbyllin dyert të pavaksinuarve, vetëm rreth 2% e kosovarëve mund të udhëtojnë

Ambasada e Gjermanisë në Kosovë ditë më parë ka bërë të ditur se nga data 25 korrik kosovarët do të mund të udhëtojnë për në këtë shtet.

Megjithatë, jo të gjithëve do të ju lëshohet viza për udhëtim.

Gjermania do të ja mundësojë udhëtimin vetëm qytetarëve që kanë arritur të marrin dy doza të vaksinës Anti-COVID, e atë vetëm 2 javë pas marrjes së dozës së dytë.

Me rregullat e reja, për në këtë shtet do të mund të udhëtojnë vetëm rreth 2 për qind e kosovarëve, të cilët kanë arritur të vaksinohen me dy doza të vaksinës Anti-COVID.

E ata që kanë marrë vetëm një dozë të vaksinës, ose që nuk kanë arritur të vaksinohen ende, mund të ballafaqohen me kufizime për udhëtimet jashtë vendit.

Parlamenti Evropian ka miratuar këtë muaj vendimin për lëshimin e certifikatave digjitale të COVID-19 në mënyrë që qytetarët e BE-së të cilët janë vaksinuar kundër këtij virusi, të mund të udhëtojnë pa kufizime në të gjithë Evropën. Përmes kësaj certifikate synohet të hiqen kufizimet e udhëtimit, detyrimet e karantinës e testimet për këtë virus.

Ndërsa, certifikata e vaksinimit të BE-së duhet të jetë në përputhje me certifikatat e tjera të vaksinimit të shteteve jashtë BE-së. Këshilli ka amandamentuar rekomandimin që qytetarët e shteteve të treta të mund të udhëtojnë pa kufizime nëse në ato shtete, në 100 mijë banorë, më pak se 75 rezultojnë pozitiv me COVID-19 gjatë 14 ditëve të fundit.

Derisa shtete të ndryshme po vendosin kufizime në mënyrë që t’i rihapin kufijtë, Kosova po vazhdon të shkoj ngadalë në vaksinimin e popullsisë.

Kryetari i Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës, Blerim Syla, ka thënë për Express se qytetarët e Kosovës nuk do të mund të udhëtojnë jashtë vendit për shkak të mosvaksinimit.

Ai ka fajësuar Ministrinë e Shëndetësisë për mos arritjen e standardeve të cilat i kërkon Evropa.

“Ne po shohim lajme se janë vendosur standarde se kush mundet të shkoj e kush jo jashtë vendit. Ne as që kemi shancë me udhëtu jashtë sepse nuk kemi vaksina. Mos ta gënjejmë popullin sepse ky popull shancë nuk ka me dal në Evropë. Kjo po ndodh me Serbinë që ka vaksinuar mbi 50 për qind të popullsisë në Beograd. Dhe po ndodh me Shqipërinë e cila ka arritur një vaksinim masiv”, ka deklaruar ai.

Ndërsa, edhe drejtori i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, Behxhet Shala, është shprehur i shqetësuar për mosvaksinimin e një numri të madh të qytetarëve.

Ai ka thënë se për qytetarët është e rëndësishme edhe mbrojtja e shëndetit.

“Ne kemi reaguar që në fillim për diskriminimin në vaksinimin e qytetarëve. Premtimet që po i jep Ministria e Shëndetësisë ende po mbesin premtime sepse vaksinat nuk janë askund ndërsa po premtohen 500 mijë vaksinime brenda muajit. Kjo nuk po merret shumë me seriozitet dhe nuk kanë investuar në blerjen e vaksinave. Po rrezikohet shëndeti i qytetarëve e po rrezikohet edhe mundësia e lëvizjes”, ka theksuar ai.

Mirëpo, ndryshe është shprehur kreu i Odës së Mjekëve të Kosovës, Pleurat Sejdiu.

Ai ka thënë për gazetën se pasi vaksinimi nuk është i detyrueshëm në asnjë shtet evropian, nuk mund të bëhen bllokada në qarkullim.

“Në rrjetin e Odave të Mjekëve të BE’së e kemi ngritur këtë shqetësim rreth çështjes së limitimit për shkak të vaksinimit dhe kjo nuk mund të arrihet për shkak se në një moment që nuk është i detyrueshëm vaksinimi në asnjë shtet evropian nuk mund të bëhen bllokada qarkullimi. Po të ishim pjesë e sistemit të liberalizimit ndoshta do të ishte problematike por për momentin jo”, ka shtuar ai.

Mirëpo, raportohet se që nga 8 qershori, Bullgaria, Kroacia, Republika Çeke, Danimarka, Gjermania, Greqia, Lituania, Polonia dhe Spanja janë duke përdorur këtë certifikatë.

Ndërkohë që 22 vende kanë testuar me sukses  skemën e certifikatave, sipas Komisionit Evropian.

Pasaporta e Vaksinimit COVID e BE’së do të lëshohet për të gjithë ata që janë vaksinuar plotësisht kundër koronavirus, me një nga katër vaksinat e aprovuara nga Agjencia Evropiane e Mjekësisë, të cilat janë: Komirnaty (BioNTech, Pfizer), Moderna, Vaxzevria (më parë COVID-19 Vaksina AstraZeneca, Oksford), Janssen (Johnson & Johnson).

Komisioni gjithashtu ka lejuar Shtetet Anëtare të lëshojnë certifikata për udhëtarët e vaksinuar me vaksina të ndryshme nga ato të aprovuara nga EMA. 

(Kosova Sot Online)