Bideni siguron presidentin e Izraelit: Irani kurrë s’do të ketë armë bërthamore

  • G.G /
  • 29 June 2021 - 09:35
Bideni siguron presidentin e Izraelit: Irani kurrë s’do të ketë armë bërthamore

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, e siguroi të hënën homologun e tij izraelit, Reuven Rivlin, gjatë takimit të tyre në Shtëpinë e Bardhë se Irani kurrë nuk do të bëhet me armë bërthamore.

“Ajo që mund të ta them është se Irani kurrë nuk do të bëhet me armë bërthamore para syve të mi”, tha shefi i Shtëpisë së Bardhë në fillim të takimit që u mbajt në Zyrën Ovale.

Takimi mes Bidenit dhe Rivlinit u zhvillua pak ditë para se këtij të fundit t’i përfundojë mandati 7-vjeçar dhe pas ardhjes në pushtet të kryeministrit Naftali Bennett, i cili e zëvendësoi Benjamin Netanyahun.

Bideni tha se shpreson që të takohet me kryeministrin e ri izraelit së shpejti, ndërsa Rivlin tha para gazetarëve se është shumë i kënaqur me komentin e presidentit amerikan rreth Iranit, shkruan Free Europe.

Shtetet e Bashkuara dhe Irani po zhvillojnë bisedime të tërthorta në Vjenë për ringjalljen e marrëveshjes bërthamore të vitit 2015 mes Teheranit dhe gjashtë fuqive botërore për kufizimin e programit bërthamor të Republikës Islamike në këmbim të largimit të sanksioneve ndërkombëtare.

Ish-presidenti amerikan, Donald Trump, i tërhoqi Shtetet e Bashkuara nga marrëveshja bërthamore me Iranin më 2018. Irani reagoi me shkelje të pikave të marrëveshjes, duke pasuruar uranium mbi nivelin e lejuar.

(Kosova Sot Online)