Izraeli njofton për inaugurimin e ambasadës në Abu Dhabi

  • E.K /
  • 29 June 2021 - 13:58
 Izraeli njofton për inaugurimin e ambasadës në Abu Dhabi

Izraeli ka njoftuar se ka hapur ambasadë në Emiratet e Bashkuara Arabe në Abu Dhabi.

Ministria e Jashtme izraelite ka shkruar në Twitter se Izraeli dhe Emiratet e Bashkuara Arabe do t’i forcojnë marrëdhëniet mes tyre.

“Lindi një ambasadë! Ambasada e re e Izraelit në Emiratet e Bashkuara Arabe në Abu Dhabi, e përuruar sot nga Ministri i Jashtëm Yair Lapid do të forcojë dhe zhvillojë më tej marrëdhëniet mes Izraelit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe”, shkroi Ministria e Jashtme e Izraelit.

Ministri Yair Lapid sot zhvilloi vizitën e nivelit më të lartë nga një zyrtar izraelit në shtetin arab të Gjirit që kur të dy vendet normalizuan marrëdhëniet nëntë muaj më parë. Lapid pritet ta takojë ministrin e Jashtëm të Emirateve të Bashkuara Arabe në Abu Dhabi.

Marrëdhëniet Izrael-Emiratet e Bashkuara Arabe u përmirësuan ndjeshëm së fundmi, kur këto dy shtete filluan të përfshihen në një bashkëpunim të gjerë jozyrtar bazuar në kundërshtimin e tyre të përbashkët ndaj programit bërthamor të Iranit dhe ndikimit rajonal.

Më 30 maj 2021, Emiratet e Bashkuara Arabe e hapën zyrtarisht ambasadën e tyre në Tel Aviv.

Sikurse me hapjen e ambasadës në Abu Dhabi, Izraeli pritet të veprojë edhe në rastin e Kosovës. Të dy vendet këtë vit zyrtarizuan njohjen e ndërsjellë, ndërsa Kosova e hapi ambasadën e saj në Jerusalem.

(Kosova Sot Online)