Sami Kurteshi me akuza në deklarimin e pasurisë: Hajnat po ia vjedhin biznesin gruas time, policia e prokuroria nuk i zbulojnë kurrë

  • E.K /
  • 30 June 2021 - 09:55
 Sami Kurteshi me akuza në deklarimin e pasurisë: Hajnat po ia vjedhin biznesin gruas time, policia e prokuroria nuk i zbulojnë kurrë

Anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Sami Kurteshi, ka drejtuar akuza në deklarimin e pasurisë së publikuar nga Agjencia Kundër Korrupsionit.

Duke folur për biznesin e bashkëshortes së tij, Kurteshi ka thënë se ajo operon me humbje, meqenëse vidhet nga hajnat.

Kurteshi tutje ka thënë se këta hajna nuk zbulohen kurrë nga policia dhe prokuroria, duke i akuzuar se bashkëpunojnë dhe “i zhvatin inspektorët e Administratës Tatimore të Kosovës”.

“Sa i përket NT Luxury ne pronësi të bashkëshortes, ajo edhe ashtu vepron me humbje edhe në ato vlera, ajo qe vidhet nga hajnat te cilět policia dhe prokuroria e Kosovês nuk i zbulon kurré, sepse me gjasë bashkēpunon dhe zhvatin inspektorët e ATK, me veprimet e tyre korruptive, të cilat nuk i kontrollon askush”, ka shkruar Kurteshi.

Ndryshe, Kurteshi ka deklaruar pasuri të paluajtshme në vlerë rreth 1 milion e 500 mijë euro. Tek këto pasuri ka deklaruar një shtëpi dhe tri toka, por që ka thënë se janë në pronësi të përbashkët.

Te pasuritë e luajtshme ka deklaruar një veturë në vlerë 7 mijë euro, një bibliotekë në vlerë 70 mijë euro dhe veturën e bashkëshortes që thotë se kushton 3 mijë euro.

Si para të gatshme, Kurteshi ka deklaruar rreth 20 mijë euro në emër të tij, 10 mijë në emër të bashkëshortes dhe 1 mijë në emër të fëmijëve.

Por, Kurteshi ka edhe borxhe. Shuma e parave që ai ka borxh sillet rreth 400 mijë euro, derisa të hyrat vjetore të tij sillen rreth 16 mijë euro.

(Kosova Sot Online)