Serbi arrestohet në Prishtinë për mesazhe provokuese, një tjetri i gjendet një ID e EUROPOL-it

  • E.K /
  • 30 June 2021 - 11:08
 Serbi arrestohet në Prishtinë për mesazhe provokuese, një tjetri i gjendet një ID e EUROPOL-it

Policia në Prishtinë të martën ka arrestuar një shtetas të Serbisë, i cili përmes rrjeteve sociale ka postuar mesazhe provokuese.

Rasti ka ndodhur mëngjesin e së martës, në rrugën “Tringë Smajli” në Prishtinë, ku i dyshuari po merrte pjesë në një garë me vetura.

Një natë më parë, ai kishte postuar mesazhe provokuese në rrjetet sociale, duke publikuar foto nga Prishtina, ku kishte shkruar “Serbia, Kosovo i Metohija”.

Ndaj tij është iniciuar rasti “Nxitje e përçarjes dhe mosdurimit”.

Policia e Kosovës në raportin 24 orësh ka bërë të ditur se në stacion policor është shoqëruar një dëshmitar, po ashtu shtetas i Serbisë, të cilit i është gjetur dhe konfiskuar një ID e policisë së EUROPOL-it.

“Rr. Tringe Smajli, Prishtinë 29.06.2021 – 10:30. Është arrestuar i dyshuari mashkull shtetas i Serbisë, nën dyshimin e bazuar se i njëjti përmes rrjetit social ka kryer veprën në fjalë. Ndërsa një dëshmitar mashkull shtetas i Serbisë është shoqëruar në stacionin policor dhe nga ai është sekuestruar një ID e policisë së EUROPOL-it, deri në verifikimin e vërtetësisë së saj. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje”, ka bërë të ditur policia.

(Kosova Sot Online)