KPM:Organet e drejtësisë të zbardhin rastin e zyrtarit të dyshuar për marrje ryshfeti

  • E.K /
  • 30 June 2021 - 12:12
 KPM:Organet e drejtësisë të zbardhin rastin e zyrtarit të dyshuar për marrje ryshfeti

Komisioni i Pavarur i Mediave ka ofruar bashkëpunimin e plotë për organet e drejtësisë lidhur me ndalimin që i është bërë një zyrtari të Zyrës Ekzekutive të KPM-së nën dyshimin për marrje ryshfeti.

KPM përmes një komunikate për media ka ftuar institucionet e drejtësisë që të merren me rastin deri në zbardhjen e plotë.

“Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM), sot është njoftuar jozyrtarisht se një zyrtar publik i Zyrës Ekzekutive të KPM-së është ndaluar mbrëmë nga institucionet e rendit dhe drejtësisë, nën dyshimin për veprën penale – marrje ryshfeti. Duke qenë të shqetësuar me këtë lajm, ftojmë institucionet e drejtësisë që të merren me rastin deri në zbardhjen e plotë, në mënyrë që të sqarohet edhe opinioni publik, por edhe ne brenda KPM-së. KPM shprehë gatishmërinë që të ofrojë bashkëpunim të plotë me organet e drejtësisë në mënyrë që të ndihmojë në zhvillimin e hetimeve deri në përfundim të rastit”, thuhet në komunikatë.

Prokurori Themelore në Prishtinë, ka njoftuar se Departamenti i Krimeve të Rënda, konkretisht Njësiti për Krime Ekonomike dhe Korrupsion, në koordinim me Policinë e Kosovës, ditën e djeshme ka ndaluar personin me inicialet A.B, drejtor i Administratës dhe Financave në KPM.

Drejtori i Administratës dhe Financave në Komisionin e Pavarur të Mediave është ndaluar nën dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale “Marrja e ryshfetit”, nga neni 421 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Sipas dyshimeve fillestare, ai dyshohet se ka marrë ryshfet në vlerë prej 8 mijë euro, me premtimin se do të ndikojë në mosndëshkimin e një subjekti biznesor, për një shkelje të pretenduar nga i dyshuari, gjoja se ky subjekt biznesor i ka shkelur rregullat e KPM-së.

I dyshuari, me aktvendim të Prokurorit të Shtetit, ndodhet nën masën e ndalimit prej 48 orësh.​

(Kosova Sot Online)