AKK: S’kemi bërë asnjë lëshim teknik për rastin e Arta Rama-Hajrizit dhe Xhavit Halitit

  • G.G /
  • 30 June 2021 - 12:47
AKK: S’kemi bërë asnjë lëshim teknik për rastin e Arta Rama-Hajrizit dhe Xhavit Halitit

Agjencia Kundër Korrupsionit është deklaruar lidhur me formularët për deklarimin e pasurisë së ish-kryetares së Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Arta Rama-Hajrizaj dhe atë të deputetit Xhavit Haliti.

Për formularin e Rama-Hajrizajt ku figuronte se e njëjta ka mbi gjashtë milionë euro para të gatshme në bankë, Agjencia ka thënë se s’është bërë lëshim nga ta, meqenëse formulari i deklarimit të pasurisë së dorëzuar në Agjenci është identik me të dhënat e publikuara në ueb faqen zyrtare.

“Sa i përket publikimit të deklarimit të pasurisë për zyrtarin e lartë publik znj. Arta Rama-Hajrizi, formulari i deklarimit të pasurisë së dorëzuar në Agjenci është identik me të dhënat e publikuara në ueb faqen zyrtare të Agjencisë, e që nënkupton se Agjencia nuk ka bërë kurrfarë lëshimi sa i përket publikimit të të dhënave të deklaruara nga subjekti në fjalë”, thuhet në njoftimin e AKK’së.

Ndërkohë, për formularin e deklarimit të pasurisë së Xhavil Haliti, i cili dje tha se i është ngatërruar pasuria me ish-deputetin Xhavit Ukaj, Agjencia e ka drejtuar gishtin ka mediat.

Sipas AKK’së, në kohën kur është publikuar lajmi në media, formulari i pasurisë së Halitit s’ka qenë fare i publikuar.

“Ndërsa sa i përket deklarimit të pasurisë  për zyrtarin e lartë publik z. Xhavit Haliti, nuk ekziston asnjë lëshim apo gabim nga ana e Agjencisë sa i përket ngatërrimit të të dhënave të deklaruara të zyrtarit në fjalë me ndonjë zyrtarë tjetër.

Në rastin konkret, deklarimi i pasurisë për zyrtarin e lartë z. Haliti ende nuk ka qenë publik në kohën kur është publikuar lajmi në media lidhur me të dhënat e zyrtarit, pasi që regjistri i deklarimit të pasurisë për zyrtarin e lartë z. Xhavit Haliti është publikuar në orën 10:59 datë 29.01.2021, ndërsa lajmi në media është publikuar në mëngjesin e të njëjtës datë. Kjo nënkupton se regjistri i deklarimit të pasurisë për zyrtarin e lartë z. Haliti, është bërë publik pas pranimit të informatës”, thuhet në njoftimin e Agjencisë.

(Kosova Sot Online)