Dragica Gashiqit nuk i lejohet vendosja e derës së blinduar

  • E.K /
  • 30 June 2021 - 13:35
 Dragica Gashiqit nuk i lejohet vendosja e derës së blinduar

Dragica Gashiq, e cila në fillim të qershorit të këtij viti, është kthyer në Gjakovë, si serbja e parë, thotë që autoritetet lokale, të mërkurën, më 30 qershor, nuk e kanë lejuar që në hyrjen e banesës së saj të ndërrojë derën dhe mbi të të vendosë grila të hekurta.

Ajo ka thënë për Radion Evropa e Lirë se ka dashur që derën që aktualisht e ka në hyrje të banesës, ta zëvendësojë dhe ta forcojë, sepse nuk ndihet e sigurt.

Dragica sqaron se nga mjeshtri që po vendoste derën, autoritetet lokale në Gjakovë kanë kërkuar lejen për punimet, si dhe me pas e kanë konfiskuar derën.

“Unë nuk e di se çfarë të bëj tash. Çfarë të bëj?”, ka pyetur Gashiq, e cila megjithatë ka theksuar se nuk do të heqë dorë nga qëllimi i saj që të mbetet në Gjakovë.

“Pse do të vija unë në banesën time në qoftë se nuk menduar se do të mbetem këtu. Unë di shqip, di të gjendem. Pra, vetëm të mos më ngacmojnë”, theksoi ajo për Radion Evropa e Lirë.

Gashiq, person “i padëshiruar në Gjakovë”

Kthimi i Dragica Gashiqit në Gjakovë, ka nxitur reagime të shumta në këtë komunë, por protestat që ishin paralajmëruar për të hënën, megjithatë, janë anuluar.

Dragica Gashiq, tash e disa vite ka kërkuar nga Agjencia Kosovare e Pronës (Agjencia Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës) që t’i lirohet banesa e saj në Gjakovë, gjë që tash i është mundësuar. Ajo, deri më tash, ka jetuar në Serbi, ndërkaq që, banesa e saj në Gjakovë ishte e uzurpuar.

Në Gjakovë, 11 organizata joqeveritare lokale, kanë thënë se do t’i dërgojnë Qeverisë së Kosovës një peticion, me të cilin kërkohet largimi i Dragica Gashiqit nga Gjakova.

Gashiqin, tash për tash, e ruan Policia e Kosovës.

“Me të vërtetë nuk kam fjalë. Policia vërtetë më përcjellë dhe më ruan, hallall ju qoftë. Një serbe ta ruajnë ashtu, kjo nuk ndodh askund në botë. Po të mos ishte mbështetja e tyre, e Policisë së Gjakovës, unë nuk do të mbijetoja asnjë ditë këtu”, tha Dragica Gashiq.

Dyshohet se Dragica Gashiq është e padëshirueshme në Gjakovë për shkak se në kohën para luftës ka punuar në policinë serbe. Por, ajo ka theksuar se nuk i ka bërë keq askujt dhe se në polici ka punuar vetëm si pastruese.

Familjarët e personave të pagjetur në gjatë një tubimi në Prishtinë më 30 gusht 2018, për të shënuar Ditën Ndërkombëtare të të Zhdukurve.

Zëdhënës i Policisë së Kosovës në Gjakovë, Nusret Xhurkaj, konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se policia nuk e lejoi Dragica Gashiqin të vendoste “derë të blinduar”, sepse, sipas policisë, për një gjë të tillë është e domosdoshme leja e komunës.

Ai shtoi se policia, e cila sipas tij, “rastësisht ndodhej atje”, e udhëzoi Gashiqin që t’i drejtohet Komunës së Gjakovës.

“Sipas informatave, banesa është pronë e Kuvendit Komunal dhe ju tash mund të drejtoheni këtij kuvendi për të marrë sqarime për procedurat e mëtutjeshme”, tha Xhuraj.

Zyra e kryetarit të Komunës së Gjakovës, nuk e ka konfirmuar, por as nuk e ka mohuar konfiskimin e derës së re, e cila është synuar të vendoset në banesën e Dragica Gashiqit.

Në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë, një zyrtare e kabinetit të kryetarit të Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, e cila nuk ka dashur që të identifikohen me emër, thanë se “komuna nuk mund të japë asnjë deklaratë, tash për tash”.

“Personat përgjegjës janë duke e trajtuar çështjen”, ka thënë që zyrtarja nga zyra e kryetarit të Komunës së Gjakovës, e cila ka paralajmëruar se autoritetet komunale më pas do të dalin me një deklaratë.

Lidhur me të drejtën e Dragica Gashiqit që të kthehet në pronën e saj për të jetuar, deri më tash, nuk ka reaguar shoqëria civile në Kosovë.

Ministri për Kthim dhe Komunitete në Qeverinë e Kosovës, Goran Rakiq ka thënë që është e turpshme dhe e papranueshme ajo që po i ndodh Gashiqit.

“Në shekullin 21, ky trajtim ndaj të kthyerve dhe ndaj procesit të kthimit, kjo ka qëllim të qartë për ta ndaluar dhe për ta bërë këtë proces plotësisht të pakuptimtë”, ka thënë ai në rrjetin social Facebook.

Radio Evropa e Lirë, në dy ditët e fundit i është drejtuar Zyrës së kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, me pyetjet se cili është qëndrimi i tyre lidhur me rastin Gashiq, si dhe a ka ndonjë plan Qeveria e Kosovës për çështjen e kthimit të serbëve të zhvendosur nga Kosova. Por, deri në publikimin e këtij teksti, nuk është kthyer asnjë përgjigje.

Në Gjakovë, gjatë luftës në vitet 1998 dhe 1999 janë vrarë më shumë se 1.000 civilë shqiptarë, shumica e tyre meshkuj. Disa prej tyre edhe më tej janë persona të pagjetur.

(Kosova Sot Online)