Prokurori i Përgjithshëm i ShBA-së e pezullon dënimin me vdekje

  • E.K /
  • 02 July 2021 - 09:22
 Prokurori i Përgjithshëm i ShBA-së e pezullon dënimin me vdekje

Prokurori i Përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara, Merrick Garland, ka vendosur moratorium për ekzekutimin e dënimit me vdekje në nivel federal përderisa Departamenti i Drejtësisë po e vazhdon rishikimin e dënimit më të rëndë.

“Departamenti i Drejtësisë duhet të sigurohet që secili në sistemin e drejtësisë kriminale federale jo vetëm t’i ketë të drejtat e garantuara nga Kushtetuta dhe ligjet e Shteteve të Bashkuara, por edhe të trajtohet me drejtësi dhe në mënyrë të njerëzishme. Ky detyrim ka forcë të veçantë në rastet me dënimin më të rëndë”, thuhet në deklaratën e prokurorit Garland.

Paraardhësi i tij, William Barr, vitin e kaluar e rifilloi zbatimin e dënimit me vdekje në nivel federal pas një pauze prej 17 vitesh, shkruan Reuters.

Gjatë muajve të fundit të pushtetit të ish-presidentit Trump, Byroja e Burgjeve zbatoi 13 dënime me vdekje, ndonëse pandemia i preku të burgosurit dhe disa prej tyre e disa avokatë u sëmurën.

Zbatimi i dënimeve me vdekje filloi në korrik të vitit të kaluar dhe mbaroi vetëm pak ditë pas largimit të Trumpit nga Shtëpia e Bardhë.

Presidenti amerikan, Joe Biden, është zotuar gjatë fushatës se do ta përkrahë legjislacionin për t’i dhënë fund dënimit me vdekje.

Momentalisht në Shtetet e Bashkuara janë 46 të burgosur që po e presin dënimin me vdekje.

Kosova Sot Online)