Memli Krasniqi s’ka kundërkandidat në garën për kryetar të partisë

  • E.K /
  • 02 July 2021 - 15:33
 Memli Krasniqi s’ka kundërkandidat në garën për kryetar të partisë

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza ka thënë se Memli Krasniqi nuk e ka asnjë kundërkandidat në garën për kryetar të partisë.

Hamza në një konferencë për media tha sot se Krasniqi i ka të gjitha karakteristikat e liderit të partisë.

“I ka të gjitha karakteristikat që duhet t’i ketë një lider. Ka qenë një garë e hapur. Fakti pse e kemi vetëm ai kandidat do të thotë që të gjithë jemi pajtuar që ta mbështesim Krasniqi në këtë proces. Nuk ka pasur ndikimi, gara ka qenë e hapur dhe kushdo që e ka ndjerë veten që është për këtë pozitë e ka pasur këtë të drejtë”, ka thënë Hamza.

“Gara me një kandidat edhe në këtë proces do të jetë demokratike”, tha më tutje Hamza.

Në deklaratën e shpalljes së kandidaturës së tij për kryetar të ardhshëm,Memli  Krasniqi ka thënë se PDK-ja ka nevojë për të hapur një kapitull të ri, një projekt politik për qytetarin e Kosovës.

“Më 3 korrik, do të kemi një proces demokratik zgjedhor për Kryetarin e PDK-së. Duke qenë krenar me rrugëtimin tonë për Kosovën, dhe duke ndier përgjegjësinë e madhe që kemi për të ardhmen, unë kam vendosur që të kandidoj për të udhëhequr PDK-në. Jam plotësisht i bindur që së bashku do ta ndërtojmë profilin dhe ekipin që na duhet, për t’i dhënë Kosovës dhe qytetarëve të saj një adresë të mirëfilltë politike, për të cilën ata kanë shumë nevojë. Jam më se i vendosur që së bashku ta çlirojmë potencialin e demokracisë, meritokracisë dhe përkushtimit, që PDK-ja të jetë derë e hapur për gjithësecilin që don dhe ka çfarë t’i japë vendit, shoqërisë dhe institucioneve shtetërore”, ka thënë Krasniqi.

Ai tha se përtej një subjekti politik, Partia Demokratike e Kosovës është projekt madhor kombëtar e identitar që i ka dhënë fizionominë lirisë, pavarësisë dhe shtetit  sovran.

(Kosova Sot Online)