Memli Krasniqi: Qeverisja e re po e rrezikon të ardhmen e qytetarëve dhe shtetit të Kosovës

  • E.K /
  • 03 July 2021 - 13:32
Memli Krasniqi: Qeverisja e re po e rrezikon të ardhmen e qytetarëve dhe shtetit të Kosovës

Kandidati për kryetar të  Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka thënë që PDK-ja është partia që ka bërë më së shumti transformimi në histori të Kosovës.  Ai gjatë fjalimit në Konventën e PDK-së, tha se asgjë e madhe dhe e rëndësishme nuk ka ndodhur pa PDK-në.

Krasniqi deklaroi se nuk do të lejojnë që ky rrëfim i PDK-së të shtrembërohet nga të tjerët.

“Partia Demokratike e Kosovës është partia që ka bërë transformimin më të madh në historinë e Kosovës. Bash asgjë e qëndrueshme, e madhe dhe e rëndësishme nuk ka ndodhur pa PDK-në. Nëse ka pasur zhvillim, investim, arsim, e rritje të mirëqenies, kjo ka qenë periudha jonë në qeverisje nga 2008 deri në 2017. Ky është rrëfimi ynë i vërtetë, dhe këtë e dinë qytetarët. Nuk do të lejojmë që këtë rrëfim ta shtrembërojnë dhe ta errësojnë të tjerët, sepse është i qartë si drita. I matshëm, i prekshëm, real dhe diçka që e ka përjetuar dhe prekur secili”, ka thënë ai.

Ai përmendi dhe qeverinë “Kurti”, për të cilën tha se po e rrezikon perspektivën e qytetarit dhe të shtetit të Kosovës.

`“Sot, për fat të keq, të gjitha këto arritje po rrezikohen me qëllim të keq, nga mentaliteti mohues dhe mosmirënjohjes i qeverisjes aktuale, duke e rrezikuar edhe vetë perspektivën e qytetarit dhe shtetit të Kosovës”, ka thënë Krasniqi.

(Kosova Sot Online)