Petkoviq: “Nuk na është lejuar ta vizitojmë krahinën tonë jugore”

  • G.G /
  • 05 July 2021 - 12:59
Petkoviq: “Nuk na është lejuar ta vizitojmë krahinën tonë jugore”

Drejtori i të ashtuquajturës zyre serbe për Kosovë, Petar Petkoviq, ka deklaruar sot se “raundi i ri i dialogut teknik me Prishtinën do të fillojë me temën mbi mos formimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe”.

“Sigurisht që Asociacioni do të jetë tema kryesore për ne, ne gjithashtu do të flasim për të zhdukurit sepse është një çështje e rëndësishme që ngarkon të dy palët dhe kjo nuk është vetëm çështje politike por edhe një çështje e civilizimit”, ka thënë Petkoviq.

Sipas tij, një nga temat do të jetë marrëveshja për lirinë e lëvizjes, sepse, siç thotë ai, “Prishtina po abuzon atë, si dhe marrëveshjet e tjera të nënshkruara”.

“Ju e dini që unë dhe zyrtarë të tjerë qeveritarë jemi ndaluar të vizitojmë “krahinën tonë jugore” disa herë. Ne gjithashtu do të diskutojmë çështjen e sigurisë së serbëve, si dhe kthimin e personave të zhvendosur brenda vendit, e cila ishte tema e dialogut teknik vitin e kaluar” , ka pretenduar Petkoviq.

Ai gjithashtu pretendon se “Kryeministri i Institucioneve të Përkohshme”, Albin Kurti, “nuk e kupton kohën, nuk e kupton realitetin dhe rrethanat politike botërore dhe mohon gjithçka”, dhe se “nuk po i pranon marrëveshjet e nënshkruara sepse ato ishin nënshkruar nga përfaqësuesit e Prishtinës para tij”.

“Mirëpo, ai duhet të kuptojë që historia nuk fillon me të, por ka detyrime që Prishtina i ndërmori në periudhën para tij, dhe ajo që u negociua më parë, duhet të respektohet sot. Kjo është ajo që ne do të kërkojmë në Bruksel, zbatimin të marrëveshjeve të nënshkruara. Ne kemi përmbushur gjithçka dhe tani Prishtina duhet të përmbushë detyrimet e saj”, ka pretenduar ai.

(Kosova Sot Online)