Talibanët marrin kontrollin në kufi, Taxhikistani mobilizon 20.000 rezervistë

  • G.G /
  • 06 July 2021 - 13:19
Talibanët marrin kontrollin në kufi, Taxhikistani mobilizon 20.000 rezervistë

Presidenti i Taxhikistanit, Emomali Rakhmon, të hënën dha urdhër për mobilizimin e 20.000 rezervistëve ushtarakë për ta përforcuar sigurinë në kufirin me Afganistanin, pasi mbi 1.000 pjesëtarë të forcave afgane të sigurisë ikën nga vendi i tyre për shkak të avancimit të talibanëve.

Presidenti rus, Vladimir Putin, i tha homologut të tij taxhik të hënën se Moska do ta ndihmojë ish-republikën e varfër sovjetike që të përballet me pasojat e tërheqjes së trupave të NATO-s nga Afganistani fqinj, nëse është e nevojshme.

Helikopterët ushtarakë rusë me bazë në Taxhikistan të martën hodhën raketa ajër-tokë gjatë ushtrimeve. Rusia tha se forcat e saj në Taxhikistan janë të pajisura plotësisht për të ofruar ndihmë që të sigurohet kufiri me Afganistanin, shkruan Reuters.

Përmes një deklarate, Kremlini tha se Rusia do të ofronte ndihmë për stabilizimin e situatës në kufi, qoftë në mënyrë të drejtpërdrejtë, qoftë përmes bllokut rajonal të sigurisë, ku bëjnë pjesë disa shtete të Azisë Qendrore.

Rusia ka një ndër bazat më të mëdha ushtarake jashtë vendit në Taxhikistan. Në këtë bazë ka tanke, helikopterë, dronë dhe aeroplanë.

Zëvendësministri rus i Punëve të Jashtme, Andrei Rudenko, tha se duket që talibanët tashmë e kanë nën kontroll pjesën më të madhe të kufirit me Taxhikistanin në anën e Afganistanit.

“Situata këtu është e tensionuar, sepse, sipas disa burimeve, deri në 70 për qind e kufirit Taxhikistan – Afganistan tani kontrollohet nga talibanët”, tha ai.

(Kosova Sot Online)