Shkencëtari i pensionuar gjerman akuzohet se ka spiunuar për Kinën

  • G.G /
  • 06 July 2021 - 15:27
Shkencëtari i pensionuar gjerman akuzohet se ka spiunuar për Kinën

Një shkencëtar politik gjerman i dalë në pension është akuzuar se ka spiunuar për Kinën për gati një dekadë, duke i përdorur kontaktet politike që i kishte zhvilluar përderisa punonte për një organizatë, tha të martën Zyra e Prokurorit Federal në Gjermani.

Autoritetet thanë se burri i akuzuar, i identifikuar si Klaus L., është rekrutuar gjatë një udhëtimi për mësimdhënie në Shanghai në vitin 2010, gati dhjetë vjet pasi ishte bërë pjesë e organizatës. Ai akuzohet se rregullisht i ka dërguar të dhëna Kinës deri në nëntorin e vitit 2019, në këmbim për të holla dhe udhëtime në Kinë.

Transmetuesi publik gjerman, ARD, tha se Klaus L. gjithashtu ka punuar si spiun për gjysmë shekulli për agjencinë gjermane për inteligjencë të jashtme, BND, para se të pensionohej.

Televizioni gjerman citoi burime të paidentifikuara se ai fillimisht i kishte treguar BND-së për përpjekjen për rekrutim, por kishte dështuar që ta informonte këtë institucion për kontaktet e mëvonshme.

ARD raportoi se Klaus L. gjithashtu ka punuar për Fondacionin “Hanns Seidel” me seli në Mynih, i lidhur me Unionin Kristian-Demokrat (CSU), parti simotër e CDU-së së kancelares Angela Merkel.

Është planifikuar që ky person të dalë në një gjykatë në Mynih të martën. Agjencia gjermane për inteligjencë të jashtme nuk ishte menjëherë e qasshme për ndonjë koment.

(Kosova Sot Online)