Arrestohen tre persona dhe identifikohet një grup kriminal

  • 06 July 2021 - 18:30
Arrestohen tre persona dhe identifikohet një grup kriminal

Policia ka njoftuar se janë arrestuar tre persona pjesë e një grupi kriminal  të cilët kanë kryer vjedhje në dhjetëra lokacione të ndryshme.

Të dyshuarit kishin kryer vjedhje te rënda në rajone të ndryshme të Kosovës.

“Ky grup kriminalë ka kryer vjedhje në lokacione/objekte të ndryshme dhe për të realizuar vjedhjet kanë përdorur automjete të ndryshme dhe mjete të forta për hapjen e lokaleve me forcë, ku për cak kanë pasur kryesisht vjedhjen e gjësendeve me vlerë si: para të gatshme, pajisje elektronike, armë, cigare në dyqane, e gjëra të ndryshme me vlerë”, thuhet në njoftimin e policisë.

Fillimisht është arrestuar i dyshuari R. A, kurse të dyshuarit e tjerë të përfshirë në vjedhje edhe pse u janë dhënë urdhra të qarta për ndalim, kanë filluar ikjen duke përdor një veturë të tipit ‘Golf 5’.

Policia gjithashtu ka njoftuar se gjatë ikjes  të dyshuarit me veturë kanë goditur dhe rrezikuar jetën e një zyrtari policor, ku për këtë, me urdhër të prokurorit është iniciuar rasti “Vrasje në Tentativë”, përderisa gjatë ikjes të dyshuarit kanë braktisur veturën në rrugë.

Vetura e braktisur është sekuestruar së bashku me disa dëshmi të gjetura brenda në automjet e të cilat dyshohet se janë gjësende të vjedhura

Janë kryer katër bastisje në lokacione të ndryshme në Prishtinë, të cilat kanë rezultuar me arrestimin edhe të dy të dyshuarve të tjerë A. Sh dhe Q. K.

Në cilësi të provave materiale janë sekuestruar: 58 kartela grafike, para të gatshme, atlete, si dhe disa pajisje elektronike dhe gjësende me vlerë të cilat dyshohet se janë të vjedhura.

(Kosova Sot Online)