Sot në mbrëmje i varroset babai, nuk dihet nëse Kadri Veseli ka ardhur në Kosovë

  • G.G /
  • 07 July 2021 - 13:34
Sot në mbrëmje i varroset babai, nuk dihet nëse Kadri Veseli ka ardhur në Kosovë

Fazli Veseli, babai i ish-kryeparlamentarit Kadri Veseli, do të varroset sonte në orën 19:00, në varrezat e fshatit Broboniq të Mitrovicës. Por, ende nuk dihet nëse Kadri Veseli ka ardhur në Kosovë.

Lajmin e kanë bërë të ditur familjarët e tij, përmes postimeve në rrjete sociale.

“Me pikëllim të thellë, ju njoftojmë se sot, në moshën 94-vjeçare, ndërroi jetë babi, gjyshi ynë Fazi Veseli. Varrimi bëhet sot, në orën 19:00, në vendlindjen e tij, në Braboniq të Mitrovicës. Falendërojmë të gjithë qytetarët për ngushëllimet dhe ndarjen e dhimbjes me ne!”, thuhet në postim.

Ndryshe, Fazli Veseli, babai i ish-kryeparlamentarit Kadri Veseli, ka vdekur sot. I njëjti ishte në gjendje të rëndë shëndetësore qe disa muaj.

Lajmin për vdekjen e tij e kanë konfirmuar familjarët e Veselit.

Veseli e kishte takuar babain e tij për herë të fundit në maj të këtij viti. Ai ishte lejuar që të vinte për vizitë në Kosovë, meqenëse babai i tij ishte në gjendje të rëndë shëndetësore.

Menjëherë pas arritjes në Kosovë, Veseli kishte vizituar spitalin e Mitrovicës “Dr.Sami Haxhibeqiri”, nën përcjelljen e forcave të shumta të sigurisë, përfshirë Policinë e Eulex-it.

Menjëherë pas kësaj vizite, Veseli ishte kthyer në paraburgim në Hagë, ku edhe ndodhet aktualisht.

Deri tash, s’ka ndonjë informacion se kur do të lëshohet nga burgu për të marrë pjesë në varrim.

(Kosova Sot Online)