Më 10 korrik fillon regjistrimi i votuesve jashtë vendit, s’do të telefonohen më të gjithë aplikuesit

  • G.G /
  • 07 July 2021 - 14:38
Më 10 korrik fillon regjistrimi i votuesve jashtë vendit, s’do të telefonohen më të gjithë aplikuesit

Nga 10 korriku do të filloj regjistrimi i votuesve jashtë vendit, kështu u tha në mbledhjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ). Po ashtu, me procedurë të re për verifikimin e aplikuesve për votim jashtë vendit, nuk do të telefonohen më të gjithë aplikuesit.

Ndryshe nga zgjedhjet e fundit, kur KQZ-ja kishte vendosur që t’i telefononte për verifikim të gjithë aplikuesit, përmes udhëzimit të ri, mënyra e verifikimit ka pësuar disa ndryshime. Udhëzimi administrativ, i miratuar gjatë zgjedhjeve të parakohshme të 14 shkurtit, është shfuqizuar nga KQZ-ja.

KQZ-ja do të verifikojë 2% të aplikuesve të aprovuar me metodën e përzgjedhjes së rastësishme. KQZ-ja do të verifikojë edhe rastet kur i njëjti numër i telefonit përdoret në më shumë se një aplikacion me mbiemra të ndryshëm apo në rastet kur në një adresë elektronike përdorët në më shumë se një aplikacion me mbiemra të ndryshëm.

Të gjitha këto raste, KQZ-ja do t’i verifikojë përmes thirrjeve telefonike.

“Nëse aplikuesi nuk e hap telefonin në thirrjen e parë, do të bëhen edhe dy tentime të tjera në periudha të ndryshme kohore brenda periudhës së aplikimit për regjistrim”, thuhet në udhëzimin e KQZ-së.

Po sipas këtij udhëzimi, KQZ-ja do do të denoncojë rastet e keqpërdorimeve në Prokurorinë e Shtetit.

“Një aktivitet me rëndësi është operacioni i votimit përmes postës që do të filloj nga data 10 korrik, pra periudha e regjistrimit si votues jashtë vendit”, tha kryeshef Ekzekutiv i Sekretariatit të KQZ-së, Burim Ahmetaj.

Ylli Buleshkaj, drejtori i Zyrës për Regjistrimin e Partive Politike dhe Certifikim, ka njoftuar se kanë vëzhguar Konventën e 3 korrikut të PDK-së dhe nuk kanë has në ndonjë shkelje.

“Vlen të përendet se kemi vëzhguar Konventën e zgjedhjes së kryetarit të PDK-së dhe nuk kemi vërejt diçka në kundërshtim me ligjin që e rregullon këtë fushë. Nuk kemi pasur asnjë subjekt që nuk do të marr pjesë në këto zgjedhje dhe kemi vetëm një koalicion parazgjedhor”.

Ndërsa, përfaqësuesi i LDK-së, Florian Dushi, tha se verifikimi nuk është i nevojshëm të bëhet te të gjitha kategoritë.

“Verifikimi nuk është i nevojshëm të bëhet te të gjitha rastet por vetëm tek disa kategori si të dyshimta. Do të zgjidhet rastësisht vetëm 2 për qind për verifikim andaj kërkojmë shfuqizimin e Vendimit për Verifikimin e Aplikacioneve për Regjistrim për periudhën e Aplikimi për Regjistrim të votuesve jashtë vendit”.

Përfaqësuesi i VV-së, Sami Kurteshi, ka kërkuar futjen e një neni që lejon aplikim online të aplikuesve jashtë vendit.

(Kosova Sot Online)