Pamje: Anija Ever Given më në fund largohet nga Egjipti, arrihet marrëveshja

  • G.G /
  • 07 July 2021 - 15:24
Pamje: Anija Ever Given më në fund largohet nga Egjipti, arrihet marrëveshja

Anija e madhe e mallrave, e cila e bllokoi Kanalin e Suezit në mars të këtij viti, duke shkaktuar pengesa të mëdha në tregtinë botërore, më në fund po largohet nga kanali, pasi Egjipti nënshkroi marrëveshje kompensimi me pronarët dhe siguruesin e saj.

Dëshmitarët thanë se anija Ever Given filloi të lundronte pak pas orës 11 e 30 minuta sipas kohës lokale dhe u nis drejt veriut për në Detin Mesdhe.

Autoritetet nuk i zbuluan pikat e marrëveshjes, por Egjipti më parë kishte kërkuar 550 milionë dollarë dëmshpërblim.

Kanali i Suezit e lidh Detin Mesdhe me Detin e Kuq dhe e ofron rrugën më të shkurtër ujore mes Azisë dhe Evropës.

Kanali ishte bllokuar, pasi anija 400 metra e gjatë i preku anët e tij në kohën kur atje po mbretëronte mot me erë të fuqishme. Shumë anije u bllokuan në porte për shkak të këtij incidenti.

Anija ishte zhbllokuar pas përpjekjeve që zgjatën gjashtë ditë. Një person kishte vdekur gjatë operacioneve.

Kjo anije është e ngarkuar me rreth 18.300 kontejnerë dhe pritet t’i nënshtrohet kontrollit të sigurisë në Port Said para se ta vazhdojë lundrimin drejt Holandës dhe më pas Britanisë së Madhe, ku do të shkarkohet.

(Kosova Sot Online)