Mustafa shpreh ngushëllime për vdekjen e babait të Kadri Veselit

  • A.P /
  • 07 July 2021 - 15:46
Mustafa shpreh ngushëllime për vdekjen e babait të Kadri Veselit

Ish-kryetari i LDK-së, Isa Mustafa ka shprehur ngushëllime për vdekjen e babait të Kadri Veselit, Fazli Veseli.

Mustafa ka shprehur ngushëllimet e tij përmes një statusi në Facebook.

“Ngushëllime familjes Veseli për shkuarjen nga kjo jetë e prindit dhe familjarit të tyre, Fazli Veseli, babait të Kadri Veselit, Kryetar i mëhershëm i Kuvendit të Kosovës dhe i Partisë Demokratike të Kosovës. Ju prehtë shpirti në paqe”, ka shkruar ai.

Familja Veseli ka hapur të pame në qytetin e Mitrovicës për babain e ish-kryeparlamentarit, Kadri Veseli, Fazli Veseli që vdiq sot.

Ish-kryeparlamentari Kadri Veseli, i cili gjendet në Hagë për shkak të akuzave nga Gjykata Speciale, u ka dhënë leje familjarëve të tij, të vazhdojnë me procedurat e varrimit të babait të tyre.

Kjo edhe nëse ai nuk arrin në kohë që të jetë prezentë në këtë ceremoni mortore.

Fazli Veseli, babai i ish-kryeparlamentarit Kadri Veseli, do të varroset sonte në orën 19:00, në varrezat e fshatit Broboniq të Mitrovicës. Por, ende nuk dihet nëse Kadri Veseli ka ardhur në Kosovë.

Ndryshe, Fazli Veseli, babai i ish-kryeparlamentarit Kadri Veseli, ka vdekur sot. I njëjti ishte në gjendje të rëndë shëndetësore qe disa muaj.

Lajmin për vdekjen e tij e kanë konfirmuar familjarët.

Veseli e kishte takuar babain e tij për herë të fundit në maj të këtij viti. Ai ishte lejuar që të vinte për vizitë në Kosovë, meqenëse babai i tij ishte në gjendje të rëndë shëndetësore.

Menjëherë pas arritjes në Kosovë, Veseli kishte vizituar spitalin e Mitrovicës “Dr.Sami Haxhibeqiri”, nën përcjelljen e forcave të shumta të sigurisë, përfshirë Policinë e Eulex-it.

Menjëherë pas kësaj vizite, Veseli ishte kthyer në paraburgim në Hagë, ku edhe ndodhet aktualisht.

Deri tash, s’ka ndonjë informacion se kur do të lëshohet nga burgu për të marrë pjesë në varrim.

Fazli Veseli kishte 94 vjeç.

(Kosova Sot Online)