Dërguti: Donika Gërvalla refuzoi ta marrë udhëheqjen e partisë

  • A.P /
  • 07 July 2021 - 19:38
Dërguti: Donika Gërvalla refuzoi ta marrë udhëheqjen e partisë

Telashet brenda listës Guxo kanë dalë në sipërfaqe. Koordinatorë të kësaj Liste tashmë po duan që të krijojnë subjektivitetin dhe për këtë arsye po duan që të garojnë të vetëm në zgjedhjet lokale. Por, figurat qendrore të saj, që mbajnë pozita udhëheqëse edhe në Qeverinë Kurti, kanë refuzuar.

Balton Dërguti, koordinator i listës Guxo për Ferizaj, dyshon që Donika Gërvalla, Faton Peci, dhe të tjerët po duan t’i ruajnë pozitat e tyre që kanë, nga frika e telasheve që mund t’u dal me kreun e LVV-së, Albin Kurtin.

Madje, Dërguti ka thënë se Gërvalla kishte refuzuar për ta udhëhequr Listën Guxo kur nga ajo u largua themeluesja, Vjosa Osmani.

“Dy muaj pas zgjedhjeve në Dubovik në kullën muze të Familjes Gërvalla është bërë një takim me koordinatorët e degëve. Ka qenë Ministrja Gërvalla, Faton Peci e disa të tjerë. Kërkesa e qartë nga të gjithë koordinatoret ka qenë që sa më parë të ngritët partia.

Donika në një rast ka thënë se nuk jam e gatshme ta marrë udhëheqjen e partisë. Pas presionit që ne i bëmë u mor vesh që të kem një takim dhe të vendosim se si do të shkojmë në zgjedhje. Kanë kaluar edhe dy muaj tjerë dhe ai takim nuk është mbajtur ende”, ka thënë Dërguti.

Kordinatori i Listës për Ferizaj ka kritikuar edhe Haxhi Avdylin dhe Faton Pecin që për interesa personale, kanë lënë anash partinë.

“Do t’i thoja këtu zotit Peci, a nuk kishte njerëz të zgjuar në krejt Listën Guxo që ti u bëre ministër dhe e pamundësove krijimin e Grupit parlamentar, a po i plotësojkan kushtet njerëzit e afër të Haxhi Avdylit që të mundësohen nëpër ministri, për çfarë kushte po flisni”, ka thënë Dërguti.

(Kosova Sot Online)