Policia e Haitit vret 4 persona, thotë se ishin vrasësit e presidentit Moise

  • G.G /
  • 08 July 2021 - 08:45
Policia e Haitit vret 4 persona, thotë se ishin vrasësit e presidentit Moise

Forcat e sigurisë në Haiti thanë se kanë vrarë katër anëtarë të një grupi mercenarësh, të cilët të mërkurën e vranë presidentin e këtij shteti, Jovenel Moise, deklaroi komandanti i policisë, Leon Charles.

“Policia është ende duke luftuar me sulmuesit. I kemi bllokuar gjatë rrugës përderisa po largoheshin nga skena e krimit. Prej atëherë, jemi duke bërë betejë me ta. Ata do të vriten ose do të kapen”, tha ai. Dy sulmues të dyshuar janë kapur.

Sekretari për komunikime, Frantz Exantus, më parë tha se policia ka arrestuar sulmues të dyshuar pa dhënë ndonjë hollësi. Charles tha se tre policë, që u mbajtën peng nga sulmuesit e armatosur, u liruan më vonë të mërkurën, shkruan The Guardian.

Vrasja e presidentit Moise dhe plagosja e bashkëshortes së tij pritet të sjellin edhe më shumë kaos në shtetin që edhe ashtu nuk ka stabilitet për shkak të dhunës, rritjes së inflacionit e protestave të opozitës, e cila e akuzonte presidentin tashmë të ndjerë për rritje të autoritarizmit.

Kryeministri në detyrë, Claude Joseph, tha se policia dhe ushtria e kanë nën kontroll gjendjen e sigurisë. Shteti më i varfër në të dy Amerikat ka histori të diktaturave e përmbysjeve politike.

(Kosova Sot Online)