Vizatimi 7 me 7 centimetra nga Da Vinci pritet të shitet për 8 deri 12 milionë funte

  • G.G /
  • 08 July 2021 - 09:50
Vizatimi 7 me 7 centimetra nga Da Vinci pritet të shitet për 8 deri 12 milionë funte

Një vizatim i vogël i Leonardo da Vincit, ku paraqitet koka e një ariu, pritet të shitet për 8 deri 12 milionë funte gjatë një ankandi që do të mbahet të enjten në Londër.

Me përmasa prej vetëm 7 me 7 centimetra, “Koka e Ariut” është vepër më e vjetër se 500 vjet.

Kjo shitje mund ta thyejë rekordin e mëparshëm për çmimin më të lartë të një vizatimi të Da Vincit, të vendosur nga vizatimi “Kali dhe Kalorësi” më 2001.

Sipas shtëpisë së ankandeve që do ta shesë këtë vizatim, “Christie’s”, kjo vepër është në mesin e pak vizatimeve të artistit të famshëm italian që ende janë në pronësi private.

Leonardo da Vinci, i lindur më 1452, vdiq më 1519. Ai është i famshëm edhe për artin e tij, edhe për shpikjet që ka bërë.

Në vitin 2017, një pikturë 500 vjet e vjetër, që besohet se është bërë nga Da Vinci, u shit në Nju Jork për një çmim rekord – 450 milionë dollarë. Kjo ishte shitja më e shtrenjtë e ndonjë vepre arti në ankand.

(Kosova Sot Online)