Reagon anëtari i shkarkuar i Bordit të RTK’së

  • G.g /
  • 08 July 2021 - 12:49
Reagon anëtari i shkarkuar i Bordit të RTK’së

Ish-anëtari i Bordit të Radio Televizionit të Kosovës, Bajram Mjeku, ka reaguar pasi deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë votuar për shkarkimin e tij.

Ai ka publikuar letrën që ia kishte dërguar Kryetares së Komisionit Parlamentar për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media e Zhvillim Rajonal, Doarsa Kica-Xhelili, ku kërkonte themelimin e një komisioni hetimor parlamentar.

Në letër, Mjeku kishte paralajmëruar se nëse do të shkarkohej nga Kuvendi do ta konsideronte vendim politik dhe do ta dërgonte rastin në Gjykatë.

“Në rast se nuk intervistohem nga një komision hetimor parlamentar, në mënyrë që të sqarohet në detaje se cilat shkelje të mundshme i kam bërë si anëtar i Bordit të RTK-së dhe në rast se ditëve të ardhshme shkarkohem në Kuvendin e Republikës së Kosovës, vendimin do ta konsideroj politik dhe do ta ankimoj në Gjykatë. I vetëdijshëm se verdikti i Gjykatës mund të vonohet me vite, ka shumë rëndësi që kurdo që të ndodh, të dëshmoj pastërtinë time para Zotit, familjes dhe institucioneve të vendit”, thuhej në letër.

Ndryshe, Kuvendi i Kosovës ka shkarkuar me shumicë votash të gjithë anëtarët e Bordit të Radio Televizionit të Kosovës. Votimi për secilin anëtar është kryer veç e veç.

Anëtarët Sali Bashota dhe Agron Gashi janë shkarkuar me 64 vota për, asnjë kundër dhe një abstenim.

Me po kaq vota pro, janë shkarkuar edhe anëtarët Lirim Geci dhe Ilir Bytyqi.

Deputetët kanë votuar edhe për shkarkimin e Albinot Malokut dhe Bajram Mjekut.

Me shumicë të votave janë shkarkuar edhe anëtarët Petrit Musolli dhe Fadil Miftari.

Votimin për shkarkimin e anëtarëve të Bordit të RTK’së veç e veç e propozoi kryeparlamentari Glauk Konjufca, meqenëse, siç tha, përgjegjësia është individuale.

https://www.facebook.com/bajram.mjeku/posts/10161826439378868

(Kosova Sot Online)