Izraeli ia rrënon shtëpinë palestinezo-amerikanit të dyshuar për sulm, reagon ShBA-ja

  • G.G /
  • 08 July 2021 - 13:42
Izraeli ia rrënon shtëpinë palestinezo-amerikanit të dyshuar për sulm, reagon ShBA-ja

Izraeli u kritikua nga Shtetet e Bashkuara të enjten, kur ia shkatërroi shtëpinë familjare një palestinezo-amerikani të akuzuar për përfshirje në të shtëna nga të cilat një Izrael u vra dhe dy të tjerë u plagosën në Bregun e pushtuar Perëndimor.

Muntasir Shalabit iu ngrit aktakuzë në një gjykatë ushtarake izraelite për një sulm në maj afër qytetit Nablus, ku studenti Yehuda Guetta u qëllua për vdekje.

Pasi ankesa e familjes së të dyshuarit në një gjykatë izraelite kundër shkatërrimit të shtëpisë ishte e pasuksesshme, ushtria izraelite tha se vila në Turmus Ayya, fshat ku jetojnë shumë palestinezo-amerikanë, u shkatërrua përmes shpërthimit të kontrolluar.

Izraeli thotë se rrënime të këtilla i parandalojnë sulmuesit e mundshëm palestinezë. Palestinezët dhe grupet për të drejtat e njeriut e kundërshtojnë këtë politikë, duke e cilësuar si ndëshkim kolektiv.

Ndaj veprimit të Izraelit reagoi Ambasada e Shteteve të Bashkuara në këtë shtet. “U bëjmë thirrje të gjitha palëve që të përmbahen nga hapat e njëanshëm që i përkeqësojnë tensionet dhe i dëmtojnë përpjekjet për ta avancuar zgjidhjen e negociuar me dy shtete”, thuhet në deklaratë.

“Këtu sigurisht përfshihet rrënimi ndëshkues i shtëpive palestineze. Siç kemi thënë shumë herë, shtëpia e një familjeje të tërë nuk duhet të rrënohet për veprimet e një individi”, tha një zëdhënës i Ambasadës së ShBA-së në Izrael.

Zyra e kryeministrit izraelit, Naftali Bennett, refuzoi që ta komentonte deklaratën e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara.

Kritikat e ShBA-së rreth politikës izraelite ndaj palestinezëve ishin të rralla gjatë presidencës së ish-shefit të Shtëpisë së Bardhë, Donald Trump, i cili ofroi përkrahje edhe për vendbanimet izraelite në Bregun Perëndimor, të cilat cilësohen ilegale nga shumë shtete.

(Kosova Sot Online)