Pas ShBA-së, edhe Britania do t’i largojë trupat nga Afganistani

  • G.G /
  • 08 July 2021 - 15:32
Pas ShBA-së, edhe Britania do t’i largojë trupat nga Afganistani

Kryeministri i Britanisë së Madhe, Boris Johnson, njoftoi për përfundimin e misionit ushtarak të vendit të tij në Afganistan. Njoftimi erdhi pas largimit të trupave amerikane.

Shefi i qeverisë britanike konfirmoi para deputetëve se ndërhyrja, e cila u kushtoi me jetë 457 ushtarëve të këtij shteti, do të marrë fund pavarësisht zgjerimit të territorit që është nën kontrollin e talibanëve.

“Të gjitha trupat britanike të caktuara në misionin e NATO-s në Afganistan do të kthehen në shtëpi”, tha ai para deputetëve. Ndonëse nuk e tregoi kohën e saktë të tërheqjes, Johnson shtoi: “Mund t’ju them se shumica e personelit tonë tashmë është tërhequr.”

Komandanti i forcave të armatosura britanike, Gjeneral Sir Nick Carter, pranoi se lajmet e fundit nga Afganistani kanë qenë goxha të zymta, por tha se ushtria afgane ka arritur që të rigrupohet për t’i mbrojtur zonat urbane, shkruan The Guardian.

Ndonëse politikanët dhe gjeneralët britanikë kanë thënë se nuk e dëshirojnë tërheqjen e trupave në këtë kohë, këmbëngulja e presidentit amerikan, Joe Biden, dhe dështimi që shtetet tjera të ofrojnë forcë alternative luftuese nënkuptoi që Britania dhe vendet tjera të NATO-s u detyruan të tërhiqen.

Britania do të ketë edhe më tëj një numër të vogël trupash për ta përkrahur forcën mbrojtëse të udhëhequr nga ShBA-ja për diplomatët në Kabul, ndonëse Ministria e Mbrojtjes nuk e tregoi shifrën.

(Kosova Sot Online)