FDHK dhe YIHR i dalin në mbrojtje serbes së kthyer në Gjakovë

  • A.P /
  • 08 July 2021 - 19:29
FDHK dhe YIHR i dalin në mbrojtje serbes së kthyer në Gjakovë

Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë dhe Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut në Kosovë i kanë dalë në mbrojtje serbes, Dragica Gasic në Gjakovë pas situatës së krijuar në vend dhe siç thuhet, pas veprimeve ligjore të ndërmarra nga ana e Komunës së Gjakovës kundrejt saj.

“Më 06 korrik 2021, Komuna e Gjakovës ka dorëzuar një padi në Gjykatën Themelore të Gjakovës, ku si objekt i kësaj padie ishte “kërkesa për anulimin e kontratës për dhënien me qira të banesës me kërkesë për masë të përkohshme.” Në të njejtën kohë, Komuna e Gjakovës ka kërkuar që të paditurës t’i caktohet një përfaqësues ligjor i përkohshëm, pasi që të njëjtës nuk i dihet vendbanimi”, thuhet në reagimin e këtyre dy organizatave.

Tutje, në këtë reagim thuhet se këto të dy organizata e konsiderojnë që një veprim i tillë është në kundërsthim me legjislacionin në fuqi dhe nuk është në frymën e Kushtetutës së Kosovës, ku bie ndesh me nenin 156 të saj me titull “Refugjatët dhe Personat e Zhvendosur brenda vendit”, ku thuhet se Kosova promovon dhe lehtëson kthimin e sigurt dhe me dinjitet të refugjatëve dhe personave të zhvendosur brenda vendit dhe u ndihmon atyre për kthimin e pronave dhe posedimeve të tyre.

“Znj. Gašić posedon dokumentet e nevojshme, me të cilat ajo vërteton të drejtën e saj për shfrytëzim të pronës, e drejtë kjo e cila i është dhënë me vendimin e Agjencisë Kosovare për Krahasim dhe Verfikim të Pronës. Kjo Agjenci duke pasur për bazë kërkesën e znj. Gašić, më 9 qershor 2021 e kishte liruar banesën e saj duke e larguar familjen e cila kishte qenë aty, për ta mundësuar kthimin e znj. Gašić në atë banesë”.

“Duke pasur parasysh se veprimet e znj. Gašić kanë qenë konform procedurave për kthim, duke mos cënuar apo rrezikuar asnjë person tjetër, konsiderojmë se situata e krijuar si rezultat i ardhjes së saj dhe ndërmarrja e veprimeve ligjore, janë në kundërshtim me frymën demokratike dhe multietnike të shtetit të Republikës së Kosovës dhe nuk kontribuon në procesin e ballafaqimit me të kaluarën”, thuhet në reagimin e Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë dhe Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut në Kosovë.

Në fund, këto dy organizata i kanë bërë thirrje autoriteteve lokale të Gjakovës që ta tërheqin padinë ndaj serbes, Dragica Gasic, duke ia lehtësuar kthimin dhe qëndrimin e saj në Gjakovë.

(Kosova Sot Online)